Vëllai i Gjyljeta Ukellës, Shpati Ukella, ka folur pas seancës së djeshme në Gjykatën Supreme ndaj Edmond Lajçit, i cili është dënuar në shkallë të parë dhe të dytë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Në një intervistë Ukella ka rrëfyer dhimbjen e familjes pas humbjes së motrës dhe vështirësitë emocionale që kanë përjetuar gjatë këtij procesi gjyqësor.
“Si dje asnjëherë nuk ka qenë vështirë, që dy vjet që jemi t’u e ndjek rastin përmes gjyqit, Sa filluan fëmijët me marrë hovin e jetës, u kthyem dje në pikë 0, ku Paulina e pati të vështirë, kur jam ardhe dje i kam kërku falje dhe i kam thënë se edhe nëse zgjatet s’kam me i thënë me u ardhe e me u ballafaqu. U kanë një situatë shumë e vështirë ta shikojë njeriun që ia ka privu nga jeta nënën dhe çohet në atë mënyrë që të kërkojë falje si me pa vra një lepër jo një njeri, unë nuk e di. Dje ka qenë e vështirë”, tha Shpat Ukella, vëllai i Gjyljeta Ukellës në “Kosova Today” në Klan Kosova
“Dje ka qenë shumë e vështirë”, u shpreh Ukella, duke shtuar se i ka kërkuar falje mbesës së tij, Paulinës për situatën e rëndë emocionale, pasi ajo ishe e pranishme në seancë ditën e djeshme.
Vëllai i viktimës ka kërkuar që Gjykata Supreme ta konfirmojë dënimin maksimal ndaj Lajçit.
“Kam besim që Gjykata Supreme do të japë dënimin me burgim të përjetshëm për të gjithë ata burra që ua privojnë jetën grave të tyre”, ka deklaruar ai.
Edmond Lajçi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, ndërsa rasti vazhdon të jetë në shqyrtim para Gjykatës Supreme.