Konfederata e Dhomave të Kosovës (KDI) ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë për përmbylljen e seancës konstituive dhe zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe pesë nënkryetarëve, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit demokratik dhe rikthimit të normalitetit institucional.
Në komunikatën e saj, KDI thekson rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucionit më të lartë përfaqësues dhe nënvizon pritshmëritë për këtë legjislaturë të re: rritjen e cilësisë së procesit legjislativ, transparencë më të madhe në vendimmarrje dhe forcimin e rolit kushtetues të Kuvendit.
“Kuvendi mbetet shtylla qendrore e përfaqësimit qytetar, ligjvënies dhe mbikëqyrjes demokratike. Presim rikthimin dhe fuqizimin e funksionit mbikëqyrës, përfshirjen reale të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe trajtimin me prioritet të reformave të mbetura pezull gjatë periudhës së krizës,” theksohet në komunikatë.
KDI shton se rikthimi i besimit qytetar në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik, dhe shpreh gatishmërinë e saj për të monitoruar dhe kontribuar në forcimin e standardeve demokratike dhe të funksionimit parlamentar. /Lajmi.net/