David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se, kur bëhet fjalë për incidentin në Banjskë, paratë janë e vetmja gjuhë që Beogradi e kupton vërtet.
Sipas tij, udhëheqja e Serbisë nuk do ta ekstradojë Millan Radoiçiqin dhe as nuk do ta marrë seriozisht përgjegjësinë, përveç nëse Brukseli i lidh qartë fondet e BE-së dhe progresin e anëtarësimit me hapa konkretë në këtë çështje.
“Kjo nuk do ta detyronte domosdoshmërisht [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq të bënte diçka, por do t’i krijonte Serbisë kosto materiale, nëse ai nuk do të vepronte”, thotë Kanin për REL.
Millan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, dhe dhjetëra persona të tjerë të akuzuar nga autoritetet e Kosovës janë në arrati.
Gjykata Themelore të Prishtinë, dje ka shpallur aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj dy të akuzuarve Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e dënoi me 30 vjet burgim, të gjithë të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, i cili ndodhi më 24 shtator. Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.