Komuna e Podujevës ka shpallur një aktivitet të ri prokurimi publik që synon trajtimin e qenve endacakë në territorin e saj, përmes një kontrate shërbimesh me vlerë të konsiderueshme.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një kontratë kornizë njëvjeçare me një operator ekonomik, me vlerë të parashikuar prej 30 mijë eurosh, shkruan IndeksOnline.
Projekti do të zbatohet në territorin e Komunës së Podujevës dhe ka për qëllim ofrimin e shërbimeve për menaxhimin dhe trajtimin e qenve, një çështje që prej kohësh konsiderohet sfiduese për shumë komuna në Kosovë.
Procedura e përzgjedhjes është e hapur, duke u mundësuar të gjithë operatorëve ekonomikë të interesuar të aplikojnë, ndërsa kriter për dhënien e kontratës do të jetë çmimi më i ulët.
Në aspektin financiar dhe të sigurisë, është paraparë një garanci e tenderit në vlerë prej 1,000 euro, si dhe siguri e ekzekutimit në masën 10 për qind të vlerës së kontratës.
Autoriteti kontraktues ka vendosur edhe kushte të qarta për pjesëmarrje. Kërkohet posedimi i pajisjeve të nevojshme teknike dhe një qendër për grumbullimin e përkohshëm të qenve, si pjesë e kapaciteteve për realizimin e kontratës.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar data 14 maj, në orën 13:00, përmes platformës elektronike të prokurimit.