Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka marrë pjesë në punëtorinë “Adresimi i stigmës ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe ndikimi i saj në procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Qendra për Pomovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, ky aktivitet realizohet në kuadër të kampanjës “Bëhu Zëri Im”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte senzibilizimi i komunitetit në adresimin e stigmës ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe mobilizimi i komunitetit për tejkalimin e këtyre sfidave. Gjithashtu kjo punëtori synon ngritjen e vetëdijës për të kërkuar qasje në drejtësi si dhe motivimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për të aplikuar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunar gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari Lladrovci në fjalimin e tij përshëndetës u shpreh “Sot, jemi këtu, që nëpërmjet një punëtorie të trajtojmë një çështje që nuk është analizuar, nuk është trajtuar dhe nuk i është dhënë rëndësia që meriton. Lufta jonë, ishte luftë në mes të të pabarabartëve. Ne, në të drejtën tonë njerëzore ehistorike për të jetuar të lirë në trojet tona, për rezistencën mbi një shekull me okupatorin e fundit, krijuam situata që jetën e okupatorit ta bëjmë të pamundur në Kosovë. Të gjithë qytetarët, për gjenerata me radhë, në forma të ndryshme rezistuan deri në vetëflijim. Kjo rezistencë, pati jehonë duke ngjeshur radhët e çlirimtarëve dhe përbën imazhin tonë, për këtë jemi faqebardhë para historisë”.
Gjithashtu Kryetari Lladrovci theksoi se “Me luftën tonë çlirimtare, rikonfirmuam se nuk e njohim nënshtrimin as okupimin. Ne u përballem me një armik tepër të paskrupullt i cili vijimin e torturës shekullore e ashpërsoi në trajta gjenocidi, me metoda gjenocidi, me pasoja të gjenocidit. Dhuna që u përdor kundër nënave, motrave e vajzave tona, përbën kapitullin dhe tragjedinë më të rëndë të luftës tonë çlirimtare. Sot ndjehem pjesë e kësaj tragjedie, ashtu sikur çdo ditë që ndjehet qytetari kur në bankën e të akuzuarve e të dënuarve nuk ndodhet asnjë kreator i kësaj dhune të njësive ushtarake e paraushtarake serbe, asnjë ekzekutues i kësaj dhune dhe asnjë drejtësi për këtë tragjedi. Përkulem para vuajtjeve Tuaja, nënë, motër, bijë. Po, po…edhe unë jam Zëri yt. Po, edhe unë do të mbetem zëri yt! Sepse ti, nënë, motër, bijë, nuk u nënshtrove. Drejtësia këtë plagë që kullon nuk e shëron, vetëm dhimbjet i lehtëson. Këtë lehtësim të dhimbjeve të kësaj plage e kemi të gjithë detyrim edhe institucional, edhe human, ta bëjmë me krejt mundësitë tona. Sepse, ti, nënë, motër e bijë, nuk je vetëm, të gjithë ne, jemi Zëri yt”.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Drejtoresha e QPDG-së, Kadire Tahiraj, Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti dhe Këshilltare e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Valdete Idrizi.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin edhe Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, Drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj, Udhëheqëse e Zyrës për Infomim, Rinore Zymeri, Asambleistë, Përfaqësues të Stacionit Policor në Drenas, përfaqësues të TMK-së, të gjykatës komunale, përfaqësues nga zyra për punësim, përfaqësues nga QKMF në Drenas, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe pëfaqësues të komunitetit fetar.
Pas shumë diskutimesh, në fund të punëtorisë u nxjerren edhe rekomandimet e këtij aktiviteti.