Kamberi publikon dokumentin, dorëzohet kërkesa për shkarkimin e ministres Paunoviq

Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik kanë iniciuar shkarkimin e ministres serbe, Snezhana Paunoviq.
Lajmin e ka bërë të ditur Shaip Kamberi.
Sipas Kamberit, iniciativës i janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë, të cilët kanë nënshkruar nismën e përbashkët.
Pesëdhjetë e tre deputetë të opozitës i kanë dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare që, pa asnjë vonesë, t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj me të cilat ajo arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë.

Lexo edheDeklaratat e Paunoviqit kundër Kosovës, Marta Kos: E habitshme që vazhdon të jetë ministre
“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore” ka thënë Kamberi.
Sipas tij, nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.
“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!” përfundoi Kamberi.















