Vitin e ardhshëm, kalimi në segmentin Milot-Morinë të Rrugës së Kombit do të bëhet me pagesë. Ministria e Transporteve ka bërë të ditur se fituesi i tenderit për koncesionin e mirëmbajtjes dhe shfrytëzimit të autostradës është grupi turk i kryesuar nga “Vendeka Bilgi”, ndërsa Rruga do të jepet me koncesion për 30 vite. “Shekulli” mëson se tarifa për kalimin e rrugës pritet të jetë në nivelin rreth 5 euro, ndërsa kjo pritet të miratohet muajin shtator. “Për banorët vendas, nuk do të aplikohet asnjë tarifë, pra, do të jetë falas, ndërsa për mjetet e transportit të mallrave, do të vendoset një pagesë që do ta kalojë shumën 5 euro. Por, të gjitha këto do të diskutohen e do të caktohen pas dy muajsh në kontratën përfundimtare”, citojnë drejtues të Ministrisë.
Oferta
Ministria e Transporteve shkruan se oferta e paraqitur nga kompania turke përmban kërkesë për subvencion në shumën 5.6 milionë euro, investim fillestar të propozuar në shumën 50.622.174 euro dhe investim në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 320.604.079 euro. Oferta është zgjedhur fituese mbi dy konkurrentët e tjerë në tender. Ndërkohë, negociatat e shtatorit parashikojnë përcaktimin e tarifave të kalimit për llojet e ndryshme të mjeteve të transportit apo të udhëtarëve. Negociatat do të përcaktojnë gjithashtu edhe banorët e zonave që do paguajnë tarifa të reduktuara apo tarifa zero për kalimin e saj, në bazë të vendndodhjes me këtë segment të rrugës. Ministria thotë se koncesioni do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës me koncesionarin.
Tenderi
Në datën e përcaktuar për dorëzimin e ofertave për procedurën e dhënies me koncesion/PPP të ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë, në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik janë paraqitur tre oferta si më poshtë:
– Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, “PT Citra Marga Nusaphala Persada TDK” “Mehmet Ai Unal Insaat Taahhlil Madencilik San. Ve Tic. A.S” “Savronik Sistem Tah.San.Tic A.S”, “Vendeka Europian Investment B.V”.
– Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst Viva Das General Constructing LLC”, “Salillari” LTD, “Violap Ateve”, “Bee Tech” dhe “Kastrati” SHA.
– Luman Biba.
Kush është kompania turke
“Vendeka Bilgi”, është kompani turke, e cila krijon dhe prodhon produkte për zhvillimin e infrastrukturës së rrugëve. Në profilin e saj në internet thuhet se ajo operon në 5 vende të ndryshme gjatë 20 viteve dhe në to ka ngritur 20 zyra. “Kompania teknologjike “Vendeka” ka zhvilluar sistemin e ri pasiv RFID, HGS dhe sistemin Hizli Gecis si kontraktor të parë duke përdorur teknologjinë e fundit dhe duke bërë që të përhapet në gjithë botën. Ka 3 autostrada në Filipine dhe 2 autostrada në Kazakistan që kanë përdorur sistemin HGS dhe projekte që ende janë në vijim. Kapaciteti sot llogaritet për 500 000 kalimtarë çdo ditë në rrugët ku operon.”, shkruhet në profilin e kompanisë.