Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” mbahet më 27-29 korrik

Nata e parë do t’i kushtohet poettit Basri Çapriqi Më 27-29 korrik, në mjediset e Muzeut të Kalasë së Ulqinit, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, organizon edicionin e 26-të të manifestimit letrat Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”. Që prej këtij viti “Kalimera Poetike” ka marrë emrin e poetit të ndjerë Basri Çapriqi, që u nda nga jeta në muajin janar 2018, prandaj nata e parë e edicionit të sivjetshëm do t’i kushtohet këtij autori në formën e një mbrëmjeje homazh.
Dy netët tjera do të organizohen mbrëmje autoriale me shkrimtarët e ftuar – poeten dhe skenaristen Natsha Lako nga Shqipëria dhe poetin Salajdin Salihu nga Tetova (Maqedoni).
Tash një çerek shekulli “Kalimera Poetike” tubon emrat më të njohur të letërsisë shqipe dhe letërsive të vendeve të tjera nga rajoni dhe bota.
Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët. “Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orë letrare akademike të letërsisë shqipe. Që nga viti 2010, në kuadër të këtij manifestimi, përveç me shkrimtarë shqiptarë, janë organizuar mbrëmje autoriale edhe me shkrimtarë nga Mali i Zi, rajoni dhe më gjerë, duke bërë që “Kalimera Poetike” të shndërrohet në festival letrar me karakter rajonal dhe ndërkombëtar. “Kalimera Poetike” organizohet rregullisht që nga viti 1993 dhe gjatë ditëve të zhvillimit të saj Ulqini është vendtakim i shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni.

Lexo edheVettel shpreh keqardhje për defektin në bolidin e Hamilton
Programi: E premte, 27 korrik 2018 Hapja e manifestimit Fjala përshëndetëse: Ismet Kallaba, kryetar i SHAI “Art Club” Mbrëmje homazh për Basri Çapriqin Flasin për krijimtarinë e autorit: Akademik Ali Aliu, studiues i letërsisë, Mr. Haxhi Shabani, studiues, dhe Sadik Bejko, shkrimtar. Lexon vargje: Simon Shkreli, aktor Moderator: Akademik Mehmet Kraja E shtunë, 28 korrik 2018 Mbrëmje autoriale me poeten dhe skenaristen Natasha Lako Flet për krijimtarinë e autores: Arian Leka, shkrimtar, studiues i letërsisë Moderatore: Adriana Hoxha E diel, 29 korrik 2018 Mbrëmje autoriale me poetin Salajdin Salihu Flet për krijimtarinë e autorit: Lulzim Haziri, poet Moderator: Hajredin Kovaçi Mbyllja e manifestimit















