Drejtori i Onkologjisë mohon se pacientja mbeti katër muaj pa Palbociclib: Përparimi i kancerit mund të ndodhë edhe gjatë terapisë

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Dr. Ilir Kurtishi, ka reaguar pas deklaratës së shoqatës “Renesansa” lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të avancuar të gjirit, e cila, sipas shoqatës, kishte mbetur për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib.
Kurtishi ka mohuar pretendimet se pacientët kanë mbetur për katër muaj pa këtë medikament për shkak të mungesës së tij në klinikë, duke theksuar se furnizimi me Palbociclib ka vazhduar sipas dinamikës së paraparë të furnizimeve spitalore, transmeton lajmi.net.
Ai ka shpjeguar se kanceri i gjirit në stad të avancuar është sëmundje komplekse dhe se, pavarësisht trajtimit, te disa pacientë sëmundja mund të përparojë dhe të shfaqë metastaza të reja.
“Barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclib, janë terapi mbështetëse që synojnë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por shkenca mjekësore fatkeqësisht nuk garanton ndalimin e plotë të saj te çdo pacient”, ka deklaruar Kurtishi.
Drejtori i Onkologjisë ka bërë të ditur se QKUK-ja e ka kontaktuar drejtpërdrejt shoqatën “Renesansa” pas reagimit të saj. Sipas tij, gjatë komunikimit, përfaqësuesit e shoqatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë, në një stad të avancuar, dhe ishte në trajtim për shkak të metastazave.
Kurtishi ka paralajmëruar gjithashtu se do të publikohen detaje nga historia mjekësore e pacientes, duke respektuar normat ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit.
Ai ka theksuar se përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të një pacienti nuk mund t’i atribuohet një faktori të vetëm pa u analizuar e gjithë historia mjekësore dhe kartela klinike.
Reagimi i plotë i drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishi:
Në emrin tim personal si Drejtor i Klinikës së Onkologjisë dhe në emër të të gjithë stafit mjekësor, dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për secilën familje që përballet me humbjen e më të dashurve të tyre. Për ne si mjekë, humbja e çdo pacienti është një dhimbje e madhe profesionale dhe njerëzore, dhe bashkëndjejmë plotësisht me këtë dhimbje.
Nisur nga pretendimet e ngritura së fundmi, ku aludohet se përparimi i sëmundjes dhe vdekja e një pacienteje ka ardhur si pasojë e mungesës së terapisë me Palbociclib, ndjehem i obliguar të sqaroj opinionin publik mbi ecurinë e trajtimeve në klinikën tonë.

Lexo edheSkandal në Onkologji: Katër muaj pa terapinë kundër kancerit, pacientja vdes pasi i shfaqen metastaza në tru
Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë.
Si onkolog, duhet të shpjegoj se kanceri i gjirit në faza të avancuara (metastatike) është një sëmundje jashtëzakonisht komplekse dhe agresive. Barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclib, janë terapi mbështetëse që synojnë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por shkenca mjekësore fatkeqësisht nuk garanton ndalimin e plotë të saj te çdo pacient. Te disa pacientë, për shkak të specifikave biologjike individuale të tumorit, sëmundja zhvillon rezistencë dhe shfaq metastaza të reja (përfshirë ato në tru) edhe përgjatë kohës kur pacienti është nën terapi të rregullt.
Ecuria klinike e çdo pacienti onkologjik, përfshirë vendimet për aplikimin, ndryshimin apo ndërprerjen e përkohshme të një terapie për shkak të gjendjes shëndetësore, varet ekskluzivisht nga vlerësimi profesional i konsiliumit mjekësor. Ndërlidhja e drejtpërdrejtë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore me një faktor të vetëm izoluar, pa një analizë të thellë të të gjithë historisë mjekësore dhe kartelës klinike të pacientit, është mjekësisht e pasaktë.
Mbi të gjitha, ngritja e pretendimeve të tilla në hapësirën publike shqetëson pa të drejtë të gjithë qytetarët e Kosovës, e sidomos pacientët dhe familjarët e tyre që janë aktualisht duke kaluar nëpër këto terapi sfiduese. Ky shqetësim rëndohet edhe më shumë pikërisht tani, në muajin tetor, i cili njihet botërisht si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Në një kohë kur stafi ynë mjekësor është çdo ditë në terren duke dhënë maksimumin për ndërgjegjësimin, parandalimin dhe mbështetjen e grave, përhapja e mesazheve që ngjallin pasiguri dëmton rëndë qetësinë dhe stabilitetin shpirtëror të pacientëve tanë në momentet kur ata kanë më së shumti nevojë për besim dhe shpresë.
Në funksion të informimit të drejtë, njoftojmë opinionin publik se Shoqata “Renesansa” është kontaktuar drejtpërdrejtë nga QKUK pas reagimit dhe gjatë këtij komunikimi, përfaqësuesit e Shoqatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë në një stad të avancuar dhe ka qenë në gjendje të trajtimit për shkak të metastazave.
Nesër do të publikojmë edhe historinë mjekësore sigurisht duke ruajtur të gjitha normat e konfidencialitetit sipas ligjit në fuqi, ku specifikohen edhe detajet për marrjen e terapisë së përmendur. Kërkojmë që këtë sqarim të rëndësishëm ta bëjnë publik shoqata edhe për opinionin e gjerë në platformat e tyre.
Klinika e Onkologjisë mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse për të ofruar të gjitha sqarimet e nevojshme mjekësore mbi mbarëvajtjen e trajtimeve në klinikën tonë./lajmi.net/












