James Blunt rrëfen sfidat personale që frymëzuan albumin e tij të ri

Këngëtari britanik James Blunt ka zbuluar se, ndryshe nga ajo që mund të kenë menduar shikuesit, gjatë pjesëmarrjes në spektaklin televiziv “Celebrity Traitors” ai kishte provuar vazhdimisht të eliminohej nga gara, por pa sukses.
Megjithëse arriti deri në episodet e fundit të këtij edicioni, Blunt thotë se nuk kishte synuar të qëndronte gjatë në kështjellën ku zhvillohej spektakli. Sipas tij, pjesëmarrësit paguheshin njësoj, pavarësisht nëse qëndronin vetëm një ditë apo deri në ditën e 23-të.
“Për pjesën më të madhe të kohës po përpiqesha të largohesha sa më shpejt, por askush nuk po më vriste dhe askush nuk po më eliminonte”, ka treguar ai për BBC-në.
Blunt u bë një nga personazhet më të pëlqyera të spektaklit, falë veshjeve të tij ekstravagante të viteve ’80, teorive të pazakonta dhe qasjes pothuajse ushtarake gjatë sfidave. Ai e përshkroi veten si një “terrier që leh vazhdimisht”, në raport me aktorin Michael Sheen, të cilin e krahasoi me një “labrador të pjekur”, ndërsa të dy përpiqeshin të zbulonin tradhtarët.
Një nga momentet më vendimtare të garës ishte eliminimi i komedianit James Acaster, për të cilin Blunt dhe Sheen arritën të ngrinin dyshime gjatë një diskutimi në tryezën e rrumbullakët. Acaster përfundimisht pranoi se ishte tradhtar, ndërsa Blunt këmbëngul se përballja ishte shumë më intensive nga ajo që u transmetua në televizion.
“Ne e kapëm. E kapëm vërtet”, tha këngëtari, duke shtuar se publiku nuk kishte parë të gjithë procesin e marrjes në pyetje dhe kundërshtive që çuan në zbulimin e tij.
Megjithatë, Blunt u eliminua në momentet e fundit të spektaklit, pasi komediani Romesh Ranganathan dyshoi se ai bashkëpunonte me tradhtaren Maya Jama. Këngëtari tha se akuza e kishte zënë në befasi, por nuk mbante mëri për mënyrën se si përfundoi gara.
“Fundi ishte i përsosur. Kishte të gjitha kthesat dhe surprizat. Nuk do ta kisha dashur ndryshe”, u shpreh ai.
Lexo edheBejta i bindet nënën, heq syzet për herë të parë në publik
Përtej përvojës televizive, intervista e BBC-së u ndal edhe te muzika e tij e re. Blunt po promovon albumin e tij të tetë, “Airplane Mode”, të cilin e konsideron ndër punët më të mira të viteve të fundit. Albumi shënon një kthim drejt një shkrimi më personal, duke u larguar nga përpjekjet për të krijuar këngë të lehta dhe komerciale për radio, shkruan KultPlus.
Në 12 këngët e albumit, muzikanti trajton mendimet e vështira, nostalgjinë, përgjegjësitë e jetës dhe pasiguritë për të ardhmen. Ai thotë se shkrimi i këngëve është bërë një mënyrë për të shprehur përjetimet dhe shqetësimet me të cilat përballet.
“Unë nuk kam një terapist. I shkruaj këngët si një ushtrim për të shprehur nostalgjinë, melankolinë dhe gjërat që më mundojnë në botë”, ka treguar Blunt.
Një pjesë e këtyre përjetimeve lidhet edhe me të kaluarën e tij ushtarake. Në të njëzetat, ai shërbeu si kapiten në ushtrinë britanike dhe ishte i stacionuar në Prishtinë gjatë luftës në Kosovë, ku humbi disa miq të afërt. Përvojat e asaj periudhe, së bashku me sfidat që pasuan karrierën e tij muzikore, kanë ndikuar në përmbajtjen dhe tonin më të thellë të albumit të ri.
Këngëtari foli gjithashtu për ndryshimet në zërin e tij, të cilat i lidh me turneun 21-mujor për 20-vjetorin e albumit debutues “Back to Bedlam”. Ai pranoi se kishte dëmtuar kordat vokale nga angazhimi i tepruar dhe se tashmë po merr mësime këndimi, përfshirë edhe nga një këngëtar opere.
Pavarësisht humorit dhe vetëironisë që e karakterizojnë, Blunt thotë se sot ndihet më i lirë në krijimtarinë e tij, pa pasur nevojë t’i dëshmojë asgjë askujt. Albumi “Airplane Mode”, sipas tij, është një reflektim më i sinqertë i njeriut që qëndron pas këngëve të njohura ndërkombëtarisht.














