Reprezentuesi i Kosovës, Vedat Muriqi po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Mallorcan, duke u kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm të repartit ofensiv në La Liga.
Sulmuesi kosovar ka arritur të shënojë 21 gola këtë edicion, duke konfirmuar formën e tij më të mirë në karrierë dhe duke qenë një nga faktorët kryesorë të skuadrës spanjolle gjatë sezonit.
Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re në tregun evropian. Sipas mediave spanjolle, FC Barcelona po e shqyrton seriozisht profilin e Muriqit si një opsion për përforcimin e sulmit.
Klubi katalanas po kërkon alternativa më efektive dhe ekonomikisht të menaxhueshme për repartin ofensiv, ndërsa Muriqi shihet si një profil ndryshe nga sulmuesit aktualë në skuadër.
Ajo që e bën veçanërisht tërheqës për Barcelonën është karakteri i tij fizik, aftësia në duelet ajrore dhe rrezikshmëria e vazhdueshme brenda zonës së rreptësisë. Po ashtu, përvoja e gjatë në La Liga konsiderohet një avantazh i madh për përshtatje të menjëhershme.
Raportimet theksojnë se një transferim i mundshëm mund të jetë i realizueshëm financiarisht, me kartonin e tij që vlerësohet rreth 15 milionë euro, një shifër e përballueshme për kushtet aktuale të klubit katalanas.
Nëse ky operacion konkretizohet, Muriqi do të kishte mundësinë të bëjë hapin më të madh të karrierës së tij, duke u bërë pjesë e një prej klubeve më të mëdha në futbollin evropian.