Ish-komandanti i UÇK-së tregon se kush duhet të marrë përgjegjësinë për komunikatën kundër familjes së Gani Gecit

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi për komunikatën e lëshuar në kohë të luftës kundër familjes së Gani Gecit.
Sylejman Selimi, në RTV Dukagjini, ka thënë se Gani Geci dhe Abedin Rexha – Sandokani kanë qenë shokë në mes vete deri në momentin kur është vrarë ky i fundit.
“Duhet të sqarohet për opinionin vrasja e Abedin Rexhës. Mirëpo, komunikata numër 59 që ka dalë në emër të Shtabit të Përgjithshëm ka qenë shumë e rëndë, e që sot askush nuk po e merr përgjegjësinë. Ka qenë shumë e rëndë pasi kemi qenë bashkërisht edhe pas vrasjes së Abedinit. Në Drenicë është ruajtur uniteti edhe pas kësaj ngjarjeje”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se nuk ka qenë e vërtet se gjoja Gani Geci i ka prirë ofensivës së forcave serbe kundër UÇK-së, siç thoshte komunikata numër 59.

Lexo edheSylejman Selimi jep një deklaratë të papritur për luftën e UÇK-së, dhe bombardimet e NATO-së
“Në momentin kur ka dalë komunikata ne kemi qenë bashkë sikur ne që po qëndrojmë tani në këtë tavolinë”.
Selimi thotë se përkundër që ka qenë Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së në kohën që ka dalë ajo komunikatë, ai nuk kishte informacione kush i shkruante komunikatat.
“Kur unë kam qenë komandant kam qëndruar në qendër të Drenicës. Defekti ynë ka qenë që një pjesë e Shtabit ka qëndruar në malet e Berishës dhe komunikimi ynë ka qenë i vështirë. Takimet edhe më të vështira. Nuk e di kush i ka shkruar komunikatat në atë kohë. Ata anëtarë të SHP të UÇK-së që i kanë shkruar komunikatat duhet t’i sqarojnë kush i ka shkruar ato komunikata. Dikush po i ik përgjegjësisë, por kjo nuk duhet të ndodhë pasi është e mirë edhe për opinionin të sqarohen këto gjëra”, tha Selimi.














