IQMT tërheq nga tregu shtatë produkte qumështi, paralajmërohen gjoba për operatorët

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në treg për produktet e qumështit me bazë bimore, pas masave të ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Gjatë inspektimeve të zhvilluara në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, janë realizuar 12 kontrolle në markete të ndryshme. Si rezultat, nga shitja janë larguar shtatë produkte të evidentuara si të ndaluara nga AUV, raporton lajmi.net
Produktet e tërhequra nga tregu janë:
Schmand, VITA 18%, 180 g;
Schmand, VITA 18%, 400 g;
Schmand, VITA 18%, 800 g;
Holla Cooking Cream, 1 L;
Holla Barista, 3.8%, 1 L;
Mazë tradicionale, DRENA, 1 kg;
Schmand i freskët, BYLMETI.
Sipas IQMT-së, produktet nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës, çështje për të cilën autoritetet kanë ndërmarrë masa për ndalimin dhe tërheqjen e tyre nga tregu.

Lexo edheVrasja në tentativë në Ferizaj, arrestohen tre të dyshuar, ndërsa viktima është dërguar për QKUK
Inspektorati ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të nisë shqiptimin e gjobave ndaj operatorëve ekonomikë që nuk i kanë tërhequr produktet e evidentuara si të papajtueshme me raportin e AUV-it.
Ndërkohë, IQMT ka shtuar bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së komunikimit në Viber, ku qytetarët mund të raportojnë rastet kur hasin në treg produkte të ndaluara për shitje.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që t’i zbatojnë menjëherë urdhrat për tërheqjen e produkteve dhe të respektojnë vendimet e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi./Lajmi.net/














