IPK suspendon zyrtarin policor që dyshohet se rrahu në stacion policor njërin nga të përfshirët në incidentin e Besart Ahmetit

Një incident u raportua të ketë ndodhur dje në parkingun e PrishtinaMall. Bëhet fjalë për një përleshje ku i përfshirë ishte edhe një zyrtar policor (kapiteni Besart Ahmeti).
Në lidhje me këtë, IInspektorati Policor i Kosovës deklaron se është njoftuar në lidhje me incdientin i ndodhur në orët e pasdites, në parkingun e qendrës tregtare Prishtina Mall, ku ishin të përfshirë një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ( me gradën e kapitenit) si dhe dy qytetarë, njëri prej të cilëve i mitur.
Pas njoftimit për rastin, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, me qëllim të verifikimit të rrethanave dhe mbledhjes së informacioneve fillestare lidhur me incidentin.
Sipas të dhënave fillestare, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ndërsa personat e përfshirë më pas janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit.
Me këtë rast theksohet se gjatë trajtimit të këtij rasti, në IPK janë ngritur pretendime për tejkalim të autorizimeve policore nga një zyrtar tjetër policor ndaj njërit prej qytetarëve të përfshirë në incident.
“Bazuar në informacionet fillestare të pranuara nga hetuesit e IPK-së, njëri nga personat e përfshirë ka pretenduar se pas shoqërimit në polici, ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në stacionin policor të Graçanicës. Lidhur me këto pretendime, hetuesit e IPK-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me prokurorin kompetent dhe, nën drejtimin e tij, kanë ndërmarrë dhe janë duke ndërmarrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të të gjitha rrethanave të rastit”thuet në njoftim.

Lexo edheMaqedonci për suksesin e Rona Malës në SHBA: Vajza nga Drenasi që po bën krenarë Kosovën në Ushtrinë Amerikane
Po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të hetimit, zyrtari policor i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë do të vazhdojnë të ndërmerren nga Policia e Kosovës në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent në drejtim të veprës penale të sulmit kurse ndaj zyrtarit policor (me gradën e kapitenit) veprimet hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së me dyshimin për veprën penale të kanosjes.
“IPK thekson se hetimi është në fazën fillestare dhe se të gjitha veprimet hetimore po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar procedurat ligjore, të drejtat e të gjitha palëve të përfshira dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.”/Lajmi.net/












