Ish-trajneri i Interit, Simone Inzaghi, këmbëngul se futbolli italian “do të rikuperohet” pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi këtë javë, por ka përjashtuar veten nga gara për të zëvendësuar Gennaro Gattuso në krye të Italisë.
Inzaghi, i cili më parë ka drejtuar edhe Lazio, aktualisht është trajner i Al-Hilal në Arabinë Saudite dhe sot feston 50-vjetorin.
Ai është drejt fundit të sezonit të tij të parë me klubin, që ndodhet në vendin e dytë në kampionat, pesë pikë pas Al-Nassr të Cristiano Ronaldo, me shtatë ndeshje të mbetura.
“Është një situatë fantastike në Arabinë Saudite në çdo aspekt: stili i jetesës, infrastruktura sportive dhe ajo jashtë sportit, qetësia që të shoqëron edhe në një punë stresuese si e imja,” tha Inzaghi në një intervistë për “Libertà”.
Biseda u kthye te dështimi i fundit i Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, pas humbjes me penallti ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Më vjen shumë keq që Italia nuk do të jetë në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi,” u shpreh ai.
“Jam 100% italian dhe vëllai im gjithashtu ka fituar një Kupë Bote. Futbolli italian do të rikuperohet, jam i sigurt.”
Ai sqaroi gjithashtu arsyet e largimit nga Italia, duke theksuar se nuk ishte vetëm çështje financiare:
“Të fitosh shumë është kënaqësi, sigurisht, por nuk ishte arsyeja e vetme. Doja të provoja një eksperiencë krejtësisht të re. Vitet te Interi ishin shumë të kënaqshme profesionalisht, por edhe shumë stresuese. Ndjeva nevojën të shkëputesha nga presioni i madh.”
Emri i tij është përmendur si kandidat për të marrë drejtimin e kombëtares, por Inzaghi e ka bërë të qartë se nuk do të largohet nga Al-Hilal:
“Jam i nderuar, por siç thashë, jam mirë këtu dhe kam edhe një vit kontratë me Al-Hilal”./GazetaExpress/