Ka ndryshuar gjithçka për të gjithë kosovarët që aplikojnë për viza në Zvicër, Francë, Austri dhe Beneluks, kështu Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ka njoftuar se nga data 3 shtator, kërkesat për vizën Schengen në këto shtetet duhet të dorëzohen nëpërmjet agjencisë lokale të nënkontraktuar , që është TLScontact.
Por kush është TSLcontact?, një kompani tregtare që punon zyrtarisht me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë për të ofruar shërbime për njerëzit që aplikojnë për viza për në Zvicër, shkruan gazetametro.net.
TLScontact do t’i përcjellë kërkesat nga qendra e dorëzimit deri në Ambasadën Zvicerane në Prishtinë për përpunim të mëtutjeshëm, personat që dëshirojnë të bëjnë kërkesë për vizë mund të aplikojnë edhe përmes internetit dhe të bëjnë termin në faqen të kësaj kompanie tregtare, TLScontact.
Aplikimet e pranuara nga TLS transferohen në Ambasadën e Zvicrës, e cila ka të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për t’u marrë me aplikimet, për të vendosur nëse do të japë ose të mohojë një vizë, të kërkojë informata shtesë apo dokumente dhe të dorëzojë aplikimet për vendim të mëtejshëm tek autoritetet kompetente të migracionit në Zvicër.
Kjo faqe njofton gjithashtu se pasaportat kthehen nga Ambasada e Zvicrës në Qendrën e Pranimit të Vizave në zarfa të mbyllur.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë përfaqëson dhe trajton kërkesat për viza Schengen brenda kompetencave të veta në emër të Austrisë, Belgjikës, Francës, Luksemburgut dhe Holandës.


