I akuzuari për vrasjen në “Interex” thotë se ishte i rrezikuar, mohon ta ketë nxitur djalin për vrasje

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arsim Syla, i cili ngarkohet për vrasjen e V.B., në “Interex”, vazhdoi dhënien e mbrojtjes, ku deklaroi se ka qenë i rrezikuar.
Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S.
I akuzuari Syla dhënien e mbrojtjes e kishte filluar në seancën e 17 nëntorit 2025. Mbrojtjen e lënë përgjysmë, i akuzuari e vazhdoi duke deklaruar se ai nuk ishte në dijeni se aty gjendej viktima V.B., dhe se sa i përket atij, tani i ndjeri do të jetonte.
Gjithashtu, i akuzuari mohoi ta ketë nxitur djalin e tij të kryejë vrasjen, duke thënë se atë e ka rritur me këshilla e edukatë. Tha se po ta dinte, do ta parandalonte.
“I nderuar trup gjykues, nuk ekziston prind në këtë botë që lejon fëmijën e tij të takohet e ballafaqohet me kriminel, siç ishte i ndjeri me grupin e tij. Po ta dija apo kuptoja, me çdo kusht apo çmim do e parandaloja. Ata plumba pa më goditur mua, nuk do e godisnin as V., sepse sa i përket meje, V.B, do të jetonte edhe 100 vjet tjera i lumtur bashkë me familjen tij”, ka thënë Syla.
Syla deklaroi se ishte i rrezikuar dhe se ai personalisht nuk guxonte të dilte si pasojë e rrezikut. Sipas tij, faktin që ishte i rrezikuar e vlerësuan edhe hetuesit.
“Kemi qenë të obliguar sa herë të dalim nga shtëpia të lajmërojmë targat e veturës me çfarë veture jemi, kah po shkojmë. Kohën e fundit unë personalisht, ata kanë cilësu se kam qenë aq i rrezikuar sa që më kanë thënë që ty nuk guxojmë me të leju me dalë sepse je shumë i rrezikuar”, tha Syla.
Ndërsa, i pyetur nëse kishte ndonjë komunikim më viktimën V.B., i akuzuari e mohoi këtë.
“S’kam pas komunikim më të, s’kam pasë asnjë kontakt me të”, tha Syla.
Në fund, seanca u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës së Gjykatës, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër.

Lexo edheBrenda katër ditëve, tre viktima në aksidente trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova”
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”./BetimipërDrejtësi














