Aktivizmi i harruar i grave në Kosovë: Bukë për Drenicën organizohet për të shënuar 19 vjetorin e protestës së grave “Bukë për Drenicën” të organizuar më 16 mars 1998.
Nesër, me datë 16 mars, në kryeqytet mbahet masterklasë e udhëhequr nga Dr.Linda Gusia.
Gusia do të ligjërojë mbi temën “Aktivizmi i harruar i grave në Kosovë”. Kjo ngjarje organizohet për të shënuar 19 vjetorin e protestës së grave “Bukë për Drenicën” të organizuar më 16 mars, 1998, dhe është pjesë e një serie ngjarjesh që organizohen brenda kornizës së projektit “Shikimi nga brenda dhe shikimi nga jashtë”.
Gjate viteve te 1990’, konteksti, politikat dhe ideologjia e asaj kohe hapi hapësira të reja të rezistencës si dhe mobilizim të grave në lëvizje paqësore. Angazhimi i grave në proceset politike dhe vizibiliteti i tyre në sferën publike përgjatë këtyre viteve ishte më masiv se ndonjëherë tjetër. Në frymën e protestave paqësore, gratë aktiviste ishin të parat që reaguan ndaj përshkallëzimit të dhunës që mori hov në fillim të viteve të 1998. Muaji mars i vitit 1998 ishte muaji i protestave.
Pas masakrës në Prekaz (5-7 mars 1998) dhe rrethimit ushtarak të fshatrave në Drenicë, gratë u organizuan në marshin e gjatë, që synonte thyerjen e izolimit, dërgimin e ndihmave dhe reagim nga bashkësia ndërkombëtare. Me 16 mars te vitit 1998, rreth dymbëdhjetë mijë gra marshuan me bukë në dorë. Kjo përvojë dhe angazhimi i grave në Kosovë gjatë viteve 1990’ në rezistencën paqësore vazhdojnë të mbeten të anashkaluara dhe të padukshme në histori, politika dhe praktika të kujtesës në Kosovë.
Kjo ngjarje organizohet nga forumZFD dhe Programi për Studime dhe Hulumtime Gjinore në Universitetin e Prishtinës, dhe mbështetet nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane