Hoxhaj: Kosova sot është më e izoluar se në çdo periudhë të pasluftës

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka kujtuar 16-vjetorin e Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke e cilësuar atë si një nga fitoret më të mëdha diplomatike të Kosovës, por njëkohësisht ka kritikuar gjendjen aktuale të politikës së jashtme të vendit.
Sipas Hoxhajt, 22 korriku i vitit 2010 ishte një pikë kthese për shtetin e Kosovës.
“Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vulosi legalitetin e pavarësisë së Kosovës dhe forcoi subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Një fitore e madhe diplomatike që i hapi Kosovës dyert e njohjeve të reja dhe e forcoi pozitën e saj në botë”, ka shkruar ai.
Megjithatë, Hoxhaj vlerëson se kjo trashëgimi është zbehur ndër vite.
“Kosova është më e izoluar se në çdo periudhë të pasluftës. Marrëdhëniet me aleatët tanë strategjikë janë dëmtuar, rruga drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare ka mbetur e bllokuar, ndërsa dialogu me Serbinë është shndërruar nga një proces për normalizim në një proces të përhershëm të menaxhimit të krizave”, ka theksuar ai.

Lexo edhePërplasen dy vetura në Loxhë të Pejës, njëra pëson dëme të mëdha
Sipas tij, Opinioni i GJND-së nuk përbënte fundin e procesit të shtetndërtimit, por bazën mbi të cilën duhej të ndërtohej konsolidimi përfundimtar i shtetit.
Në fund, Hoxhaj ka bërë thirrje për rikthimin e partneritetit të ngushtë me aleatët perëndimorë.
“Fitoret diplomatike nuk ruhen vetvetiu. Ato kërkojnë punë, vizion dhe partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Vetëm kështu Kosova mund ta rikthejë momentumin e humbur, të fitojë njohje të reja dhe ta përmbyllë me sukses konsolidimin e saj ndërkombëtar”, ka deklaruar Hoxhaj.














