Hoxha: Presim raportet zyrtare rreth rastit, veprimet sipas të gjeturave dhe kompetencës
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, sot kanë mbajtur një konferencë për media në Qendrën e Paraburgimit në Prizren lidhur me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A.D.
Gjatë kësaj konference, Ministrja Hoxha fillimisht ngushëlloi familjen dhe te afërmit me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe me këtë rast ftoi mediat, qytetarët dhe opinionin që të respektojnë punën e institucioneve të cilat po merren me rastin e ndriçimit të rrethanave të vdekjes duke çmuar pavarësinë e secilit institucion si dhe kompetencat e tyre.
“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ajo me tej shtoi se në kuadër të mandatit të saj, shpreh përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë për sqarimin e rastit, me transparencë dhe ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin. Ministrja Hoxha theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.
Lexo edheMinistria e Drejtësisë, është lejuar përfshirja e ekspertit të kërkuar në autopsinë e të ndierit Dehari
“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.
Ministrja Dhurata Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.
Ministrja Hoxha dhe Kryeprokurori Lumezi më tej u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve të cilët ishin pjesëmarrës në këtë konferencë. /Drenica Press/














