Në një konferencë për media, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Avdullah Hotin, kanë ndërruar qëndrim për marrëveshjen e IPA’s, për të cilën dje Hoti tha se LDK nuk do e votojë kur të hidhet në Kuvend.
Seanca për IPA’në është shtyrë për nesër në orës 10:00, ndërsa LDK tani ndërron mendim për votimin e kësaj marrëveshje, për të cilën patën thënë se nuk do ta votojnë.
“Kjo marrëveshje është negociuar nga Qeveria Mustafa. Prioritetet që janë të përcaktuar në këtë marrëveshje janë negociuar nga Qeveria Mustafa”, thuhet në komunikatë, shkruan Gazeta Express.
Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër votimit të një marrëveshjeje disa milionëshe financiare që njihet si IPA. Në seancën e së hënës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në ratifikimin e marrëveshjes së IPA-s, nëse kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk jep llogari lidhur me atë se si është formuar Qeveria e Kosovës.
Mirëpo, një ditë pas, Hoti thotë se kjo marrëveshje është e rëndësisë nacionale, dhe se LDK do ta votojë këtë marrëveshje, shkruan Express.
“I duhen votat e deputetëve të opozitës shqiptare. Ne do të votojmë nesër në seancë të rregullt. Sigurisht që nuk mund të lejojmë që një marrëveshje e tillë të mos ratifikohet.”, thuhet në njoftim.
“Në marrëveshje shkruan tekstualisht se fondet ndahen në përputhje me prioritetet e Qeverisë së Kosovës bazuar në strategjinë zhvillimore 2015-2018.
Me sjelljen tonë, ne sot i treguam Qeverisë se për të votuar marrëveshje të rëndësisë së tillë nuk i mjaftojnë votat e listës serbe, edhe pse është i varur nga ta.
I vetmi partner kredibil i BE-së në Kosovë është LDK. Dhe ne do të ruajmë e forcojmë gjithmonë partneritetin me BE-në”, thuhet më tej në njoftimin për media dërguar nga LDK./GazetaExpress/