Hoti lexon ekspozenë, u tregon deputetëve çfarë do të bëjë si Kryeministër
Kandidati i LDK’së për kryeministër, Avdullah Hoti, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka treguar prioritetet e qeverisjes së tij nëse do të zgjidhet kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Hoti ka thënë se dy prioritetet e para do të jenë lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike e Kosovës.
“Nisur nga situata që po përballemi, prioritetet tona kryesore do të jenë: Lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas kësaj pandemie. Krahas këtyre prioriteteve Qeveria do të ketë edhe prioritete të tjera që do të jenë forcimi i shtetit, rritjen e punësimeve, fuqizim të aftësive konkurruese”, ka thënë Hoti në fjalën e tij.
Gjithashtu Hoti ka thënë se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës do të merren edhe përgjegjësitë për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë.

Lexo edheDonika Kadaj s’i bashkohet grupit të AAK’së edhe pse ka shkuar në Kuvend
Hoti ka thënë se në një proces të tillë do të bashkëpunohet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se nuk do të lejojnë që të ketë ndryshim të kufijve apo shkëmbim të territoreve.
Ai gjithashtu ka thënë se do të angazhohet për bashkëpunim pozitë-opozitë dhe për gjithpërfshirje, sidomos për procesin e dialogut me Serbinë.
“Do të marrim përgjegjësinë për të çuar përpara procesin e dialogut bashkë me BE dhe SHBA duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit. Krijimin e bashkëpunimit pozitë-opozitë dhe kërkim i gjithpërfshirjes sidomos në procesin e dialogut”, ka thënë Hoti në fjalën e tij në Kuvend.














