Haxhiu paralajmëron nismë të re për Specialen: Këtë javë procedohet në Kuvend drafti i ri
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se seanca e radhës plenare do të mbahet të enjten, në orën 13:00, ndërsa paraprakisht, në orën 10:00, do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara.
Haxhiu ka bërë të ditur se në seancën e orës 10:00 do të shqyrtohen disa çështje që kanë mbetur pa u trajtuar, përfshirë rezolutën nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, rezolutën për çështjet e energjisë elektrike, si dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Në rend dite pritet të jenë edhe çështjet që lidhen me Bordin e RTK-së, rekomandimi për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe ndryshimet në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Sa i përket Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili ishte kthyer në Kuvend nga presidentja, Haxhiu ka thënë se Kryesia ka kërkuar opinion lidhur me hapat e mëtejmë, pasi ka kaluar afati katërjavor që Komisioni përkatës ka për ta proceduar raportin në seancë plenare.
Ajo ka theksuar se është kërkuar sqarim se si duhet të veprohet në rastet kur ky afat nuk respektohet, meqë, sipas saj, rregullorja nuk parasheh ndonjë pasojë konkrete për mosveprimin brenda afatit të përcaktuar.
Ndërkaq, Haxhiu ka bërë të ditur se, sipas informatave që posedon, gjatë kësaj jave pritet të procedohet një nismë e re lidhur me këtë çështje.
Lexo edheÇitaku: Brenda javës procedojmë në Kuvend nismën e re për Specialen, synojmë miratimin e saj në dy lexime
“Një nismë e re lidhur me këtë do të procedohet brenda javës. Për përmbajtjen e saj e diskutojmë kur ajo procedohet, por në raport me këtë çështje nuk kemi pasur problem përmbajtësor, por kanë qenë procedurale që besoj se tejkalohen”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se do të ketë një draft të ri të vendimit lidhur me atë që e ka cilësuar si vendim të padrejtë të Gjykatës Speciale.
E pyetur për mundësinë e mbajtjes së konsultimeve publike për këtë nismë, Haxhiu ka sqaruar se një praktikë e tillë nuk zhvillohet paraprakisht kur iniciativa vjen nga deputetët.
Sipas saj, konsultimet publike mund të organizohen pasi nisma të procedohet dhe të ngarkohen komisionet përkatëse parlamentare. /Lajmi.net/



