Lëvizja FOL, AGK dhe Flutura Kusari tërhiqen nga monitorimi i përzgjedhjes së Kryeredaktorit të RTK-së
Lëvizja FOL, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, kanë njoftuar se janë tërhequr nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së Kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Në një reagim të përbashkët, ata kanë bërë të ditur se vendimi për tërheqje është marrë për shkak të, siç kanë vlerësuar, mungesës së integritetit, transparencës dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve në këtë proces.
RTK është duke zhvilluar procedurën për përzgjedhjen e kryeredaktorit, ku në garë janë Blerim Haxhiaj, Lindita Azizi, Xhevdet Sfarça, Ermal Rexha dhe Vedat Vllasaliu. Intervistat me kandidatët janë paraparë të mbahen më 24 nëntor 2026.
Sipas reagimit, në takimin e 19 nëntorit, komisioni përzgjedhës ka njoftuar se njëra nga kandidatet është përjashtuar nga gara për shkak të një mase disiplinore, bazuar në një opinion të zyrës ligjore.
Megjithatë, organizatat dhe juristja kanë thënë se janë informuar se edhe kandidatët e tjerë janë subjekt i ankesave dhe potencialisht i procedurave disiplinore. Sipas tyre, kjo vlen edhe për kandidatin Blerim Haxhiaj, të cilin e cilësojnë si njërin nga kandidatët favoritë për këtë pozitë.
Për këtë arsye, më 19 nëntor ata i janë drejtuar RTK-së me kërkesë për qasje në informacione publike, duke kërkuar sqarime nëse ndaj Haxhiajt ka ankesa apo procedura disiplinore, nëse ai ka ngritur padi ose nëse janë ngritur padi ndaj tij lidhur me punën në RTK, si dhe cili është statusi i këtyre rasteve.
Ata kanë theksuar se deri një ditë para intervistave nuk kanë marrë përgjigje nga RTK-ja.
Lexo edheTë enjten mbahen dy seanca në Kuvend, Ligji për Specialen mbetet jashtë rendit të ditës – Haxhiu: Nismë e re do të procedohet gjatë javës
“Kjo heshtje e qëllimshme e RTK-së i ka thelluar dyshimet tona se procesi nuk po zhvillohet me nivelin e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë që meriton”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, informacionet për ankesat, procedurat disiplinore apo paditë ndaj kandidatëve janë të rëndësishme për të vërtetuar nëse komisioni po zbaton kritere të njëjta për të gjithë kandidatët.
Në reagim është theksuar gjithashtu se pozita e kryeredaktorit është ndër më të rëndësishmet në RTK, pasi ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si informohet publiku.
Nënshkruesit kanë vlerësuar se përzgjedhja po zhvillohet në një periudhë kur RTK-ja është nën presion dhe kontroll të lartë politik, duke theksuar nevojën që në këtë pozitë të emërohen profesionistë që veprojnë në interes të publikut.
Në fund, Lëvizja FOL, AGK-ja dhe Flutura Kusari kanë bërë të ditur se tërheqja nga monitorimi vjen si pasojë e shqetësimeve të tyre për mënyrën se si po zhvillohet procesi i përzgjedhjes.



