Ramush Haradinaj, nga tubimi elektoral i numrit 128 në Pejë ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatit për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, duke e cilësuar atë si “njeriun e krijuar për këtë kohë”.
Para qytetarëve pejanë, Haradinaj tha se në Pejë po ndihej njësoj si në ditën kur ishte kthyer nga Haga, duke kujtuar se qyteti i parë që kishte vizituar pas kthimit kishte qenë pikërisht Peja.
“Borxh i kemi pas kësaj toke, shyqyr e kemi çliru dhe jemi të gëzuar që Peja është kështu si është. Kur jam kthyer prej Hagës, vizitën e parë e kam bërë në Pejë. Nëpër ballkone, në rrugë e në shesh kishte njerëz. Ky qytet është me vlera të mëdha dhe me trashëgimi të hershme”, u shpreh Haradinaj.
Ai tha se e do Pejën dhe Kosovën sepse, siç theksoi, “nuk kemi tjetër”, ndërsa shtoi se para qytetarëve po dilte i lumtur dhe i bindur për drejtimin që duhet të marrë vendi.
“Po vi i gëzuar se e kemi njeriun që po na prin, e kemi Ardian Gjinin. Është i krijuar për këtë kohë”, deklaroi Haradinaj.
Duke folur për rrugëtimin e kandidatit për kryeministër nga Aleanca, Haradinaj tha se Gjini është formuar në periudha të vështira dhe ka përvojë të thellë politike.
“Është krijuar në zjarrin e luftës, mes sfidave që i ka kaluar Gjakova. Prej asaj kohe kemi qenë gjithkund bashkë. Është njeri i krijuar jo vetëm në nivel të dijes së Kosovës, por edhe në politika globale. Është modest, nuk lëvdohet dhe nuk flet për veten. Nuk është njeri i zhurmës e propagandës, ndërsa Kosova ka nevojë për një njeri të tillë”, tha Haradinaj.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhje të mbështesin listën 128 dhe kandidatin për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini.