Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë pak më parë se nesër do të ketë shkarkime, pas aksionit policor kundër 6 shtetasve turq, të cilët u dëbuan nga Kosova.
Haradinaj, duke dalur nga objekti i Qeverisë së Kosovës u ka thënë gazetarëve se nesër do të ketë shkarkime.
“Do të ketë shkarkime”, ka thënë Haradinaj, duke refuzuar që të prononcohet para kamerave.
Periskopi ka raportuar nëpërmjet burimeve të veta se i shkarkuari do të jetë drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi. Por, mediat tjera kanë raportuar se për shkak të ngjarjeve të sotme, mund ta pësoj edhe ministri i Brendshëm Flamur Sefaj.
AKI-ja bashkë me Policinë e Kosovës realizuan sot një aksion kundër 6 shtetasve turq, udhëheqës të shkollave guleniste në Kosovë.
Më pas ata u dëbuan nga Kosova, me justifikimin e një raporti që e kishte përpiluar AKI-ja, kundër tyre, ku thuhej se ata akuzoheshin për terrorizëm dhe se përbënin rrezik për sigurinë nacionale. /Periskopi/