Haradinaj nderon Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun: Emrat e tyre mbeten simbol i mbrojtjes së Kosovës

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot heroin Enver Zymberi, në përvjetorin e rënies së tij, duke vlerësuar lart sakrificën e tij dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe sigurinë e Kosovës.
Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se figura e Enver Zymberit, i cili shërbeu në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas në Policinë e Kosovës, përfaqëson guximin dhe përkushtimin për mbrojtjen e vendit.
“Jeta dhe përkushtimi i Enver Zymberit, së bashku me Afrim Bunjakun dhe të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun, janë dëshmi se mbrojtja e Republikës së Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën, guximin dhe besimin e palëkundur në shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se uniforma e policit që mbajti Enver Zymberi dhe shembulli i tij mbeten simbol i përkushtimit ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Uniforma e policit që mbajti Enver Zymberi, sakrifica dhe shembulli i tij, ashtu si edhe i të gjithë heronjve të Kosovës në luftë e në paqe, mbeten themeli mbi të cilin qëndron shteti”, ka deklaruar Haradinaj.

Lexo edheOsmani në ditën memoriale të policëve të rënë: Lavdia për ta do të jetë e përjetshme
Në fund të mesazhit të tij, Haradinaj ka shprehur mirënjohje të përjetshme për Enver Zymberin dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë, pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. /Lajmi.net/














