Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar pas një shkrimi të kryetarit të kuvendit, Dimal Bashës, që më 2012 e portretizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë të lidhur me botën e krimit.
Haradinaj tha se Basha është në sinkron me qëndrimet e liderit të VV-së, Albin Kurti në ludhje me luftën e UÇK-së.
“Mendoj që Basha është në sinkron me partinë e tij dhe liderin e vet. Po të mos ishte në sinkron, vet fakti që partia këto e qet me i përfaqësu, do të thotë këta e pranojnë që është njeri ma adekuat për përfaqësimin e tyre. Nëse e kqyrim edhe të tjerët kanë qenë në sinkron kundër vlerave të ushtrisë dhe vetë lirisë, prandaj Basha nuk simbolizon asgjë tjetër vetëm mendimin e tij politik dhe të partisë së tij”, u shpreh ai.
Haradinaj tha se hulumtimi i Bashës nuk është arsye për ta shkarkuar nga pozita e kryetarit të Kuvendit, pasi analiza e tij nuk është risi për opinionin.
‘’Për mua nuk është kurgjo e re, Basha ka treguar cka është… mos të bëhen njerëzit që s’po e dijnë cka është kjo.. njerëzit e kanë ditë ekzakt që Basha është qaj, edhe këta që e kanë votu edhe këta që e kanë qit. Basha i ka marr votat, tash kadal dal i injoron këta tjerët. Vlera e Kosovës është Basha. Ky popull ka parlamentar atë që e meriton, do të thotë këta jemi ne….Por ja që zërat e drejtë, ata shuhen. Thjeshtë kemi një luftë kundër UÇK-së, një luftë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kjo është në krye, ja pafshin hajrin”, u shpreh ai për Periskopin.
Haradinaj nuk la pa i lënë në faj edhe partitë që votuan pro zgjedhjes së Bashës për kryetar të parlamentit.
“Njëjtë, edhe këta që e votuan. Sepse parlamenti do të duhej të votohej por jo në këtë formë dhe të tallen me popullin dhe votuesit. Nuk është hera e parë që i thejnë amanetet për interesat e tyre”, u shpreh ai për Periskopin.
Ndryshe, Organizata e Veteranëve të UÇK-së e ka quajtur të pafalshme zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryekuvendar marrë parasysh deklaratat e tij mbi UÇK-në.
“OVL e UÇK-së shpreh indinjatën e thellë për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.