Barcelona po planifikon që tani për afatin kalimtar veror dhe trajneri Hansi Flick është duke dhënë mendimin e tij për lëvizjet e mundshme.
Pas rizgjedhjes së Joan Laportas si president dy javë më parë, struktura e klubit mbetet e njëjtë, me Decon që vazhdon si drejtor sportiv.
Kjo sjell një vazhdimësi në planet e merkatos dhe duket se João Cancelo është pjesë e tyre.
Javët e fundit është raportuar se Barcelona do të tentojë ta transferojë përfundimisht Cancelon, nëse ai arrin të ndërpresë kontratën me Al-Hilalin.
Mbrojtësi portugez ka edhe një vit kontratë në Arabinë Saudite.
Sipas raportimeve, Flick ka dhënë dritën jeshile për transferimin e përhershëm të Cancelos.
Pas një fillimi të ngadaltë, trajneri gjerman është bindur nga cilësitë e tij me topin dhe fleksibiliteti për të luajtur në disa pozita.
31-vjeçari pritet të duhet të ulë ndjeshëm pagën për ta bërë të mundur marrëveshjen.
Një alternativë tjetër është edhe një mbrojtës i majtë nga Bayer Leverkusen, por prioritet mbetet mbajtja e Cancelos dhe afrimi i një qendërmbrojtësi me këmbë të majtë.
Pas fitores ndaj Rayo Vallecano të dielën, Flick lavdëroi veteranin.
“Dua ta përgëzoj sepse performanca e tij ishte e jashtëzakonshme, sidomos në pjesën e dytë. Ai dha gjithçka për ekipin dhe donte të vazhdonte deri në fund sepse ishte shumë i fokusuar”, tha ai.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Barcelona është e hapur të dëgjojë oferta për dy mbrojtësit që e nisën sezonin si titullarë, Jules Koundé dhe Alejandro Balde.
Asnjëri nuk ka qenë në formën më të mirë këtë sezon, dhe prania e Cancelos mund t’i japë klubit më shumë fleksibilitet për të marrë vendime për shitje./GazetaExpress/