Duke ma keqpërdorur besimin, hajni ma vodhi kuletën, aty ku më së paku e kam pritur!
1.
Shpesh e dëgjoj një zë brenda vetes, i cili më udhëzon në ndonjë veprim. Kryesisht, ky zë më shtyn ta bëj ndonjë punë humanitare, apo të jap ndonjë ndihmë materiale.
2.
Kisha e karmelitanëve në fshatin Nënshat, afër Fishtës në Shqipëri (te restorantit Mrizi i Zanave), i ka motrat e nderit – karmelitanet!
Kam respekt të jashtëzakonshëm për këto motra të bekuara.
Rendi i këtyre motrave katolike, jetën e kalojnë me lutje intensive gjatë tërë ditës, debate intelektuale dhe në izolim të madh prej botës së jashtme. Disa prej motrave, nuk dalin prej ndërtesës me vite të tëra. Motra Rozë, ta zëmë, nuk ka dalë prej kësaj ndërtesë qe 14 vjet. Njësoj është edhe me motrën Mihaela ose Marija.
Në mes këtyre motrave në Nënshat, ka shqiptare, kosovare, italiane dhe kroate. Ato bëjnë jetë askete. Përndryshe, lutjet i bëjnë për të gjithë ne.
3.
Dje, shkova t’i vizitoj karmelitanet. Biseduam gjerë e gjatë. U lutëm për paqe në botë. Secila prej tyre, ka një nivel të hatashëm intelektual dhe shpirtëror. Karmelitanet jetojnë vetëm prej ndihmave që iu japin vizitorët e zgjedhur.
4.
Pas vizitës në këtë vend të shenjtë, në oborr të kishës u ftova të marrë pjesë në ahengun që ishte organizuar për personat me aftësi ndryshe. U shoqëruam, luajtëm lojëra të ndryshme, dhe ju shërbyem këtyre njerëzve të mirë. Thjesht, ishim në disponim të personave me aftësi ndryshe. Ishte dita e tyre.
Zemra më kënaqet kur e shoh që dikujt ia ndreqi ditën, me shumë pak kohë e angazhim. Kalova shumë mirë. Madje edhe dreka, e cila dorën në zemër ishte modeste – bukë e krypë e zemër – ishte drekë luksoze, në modestinë e saj.
5.
Njoftova shumë njerëz interesant, dhe krijova shoqëri të reja. Në momente fascinohesha me entuziazmin e disa personave me aftësi të veçanta, dhe me durimin dhe kurajën e familjarëve të tyre. Emocionet i kisha në maksimum. Të mira, kryesisht.
6.
U relaksova tërësisht: isha në rrethin e vëllezërve dhe motrave.
Po përshëndetem, dhe po nisem drejt Prishtinës.
I lumtur dhe i plotësuar shpirtërisht: kam ndihmuar materialisht – sado që ndihmë e vogël – dhe jam shoqëruar dhe u kam shërbyer shumë personave fantastikë.
7.
Dal prej kishës dhe ndalëm në pompë të benzinës. E hapi çantën dhe e shoh që nuk e kam kuletën. E mbaj në mend shumë mirë, kur brenda në kishë e futa në çantë.
Jam shumë i kujdesshëm me kuletë. Anekënd botës kam shëtitur, dhe jam provuar me shumë gjëra: të mira e të këqija. Por, vjedhja e kuletës në kishë, madje kur është dita e personave me aftësi të ndryshme, vërtet, është jashtë çdo logjike. Hajni qenka monstrum i vërtetë. Në fakt, tërë kohën e kam ruajtur çantën, siç po shihet në foto. Afër vetes dhe shtrëngueshëm.
Hajnia ka ndodhur kur u ula të ha drekë. E hoqa çantën dhe xhaketën. Ishte shumë nxehtë. Të kota ishin thirrjet në mikrofon, se ka humbur një kuletë.
8.
Shkova të bëj mirë, e gjeta keq. Hajni më ka prerë në besë!
Priftërinjtë, fretërit dhe motrat karmelitane u shqetësuan pa masë. Depresion dhe mërzi kolektive. Unë do të vazhdoj me kontributin tim, në të gjitha format. E hajnit? Hajnit i dëshiroj që të mos i gëzojë të hollat që i ka gjetur në kuletë.
Dhe për fund: e lus të madhin Zot, që hajni të mos jetë ndokush prej personave që e njoh dhe i besoj. Gjasat më të mëdha janë që mu ndonjëri prej tyre e ka bërë këtë pabesi!