Në një intervistë për Vogue Italia, themeluesja e Rhode, Hailey Bieber, foli për mënyrën se si u përball me thashethemet rreth martesës së saj me Justin Bieber gjatë periudhës pas lindjes.
Hailey, e cila lindi djalin e saj dhe Justin, Jack Blues, në gusht 2024, pranoi se koha pas lindjes ishte “periudha më delikate që kam kaluar ndonjëherë në jetën time” dhe se “të mësoja të jetoja me një version të ri” të vetes ishte “shumë e vështirë”.
“Dhe të detyrohesh t’i bësh të gjitha këto ndërsa lexon vazhdimisht gënjeshtra në internet si ‘Ata po divorcohen’ ose ‘Ata nuk janë më të lumtur bashkë’ është diçka që të çmend vërtet. Nuk jam as e sigurt nëse mund ta shpjegoj. Është një jetë e çmendur“, tha ajo.
Megjithatë, shumica e asaj që shkruhet për të në internet “nuk është e vërtetë” dhe në fakt ajo “ka një jetë të vërtetë. Është ajo që ndaj me familjen time të mrekullueshme, me miqtë e mi, me njerëzit që më njohin dhe më duan”.
Hailey mbrojti me forcë marrëdhënien e saj me Justin, duke reflektuar mbi urrejtjen që priste të zhdukej pas shtatzënisë.
«Epo, mendova se do të kishte ndodhur tashmë pas shtatë vitesh, dhe nuk ka ndodhur», u përgjigj ajo kur u pyet nëse mendonte se bisedat në internet do të shuheshin përfundimisht. «Do të mendoje se pasi të kesh një fëmijë, njerëzit ndoshta do të vazhdonin jetën, do të qetësoheshin pak, por jo», tha ajo.