Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guérot.
Në këtë takim u diskutua avancimi i bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, transmeton IndeksOnline.
“Në takim u diskutua për mundësitë e krijimit të marrëveshjeve të ardhshme me kompani franceze, me fokus në zhvillimin e bujqësisë dhe avancimin e sistemit të ujitjes në Kosovë.
Ministri Muja theksoi prioritetin për rritjen e sigurisë ushqimore, për çka mori mbështetje nga Ambasadori Guérot, i cili vlerësoi lartë këtë iniciativë” thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.
Nga ana tjetër, Guérot ishte për vizitë edhe në Ministrinë e Arsimit, ku u prit nga Hajrulla Çeku.
Bashkë me Çekun u fol për bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe shkencës dhe u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm, i cili është konkretizuar përmes projekteve të përbashkëta në arsimin e lartë, bursave dhe mobiliteti akademik dhe programeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
Ministri Çeku shprehu mirënjohje e tij ndaj shtetit të Francës për mbështetjen në avancimin e cilësisë në arsim, ndërsa theksoi rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të partneriteteve ndërinstitucionale, me fokus të veçantë në arsimin e lartë.