Ish-deputeti i PDK-së Përparim Gruda ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe se politikanët nuk mund t’i komentojnë ato por vetëm t’i zbatojnë.
Ai në konferencën për media të premten u pyet në lidhje me atë se a e respekton PDK aktgjykimin e fundit në lidhje me nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb, e për çka tha se PDK tradicionalisht ka respektuar vendimet kushtetuese.
“Në krejt traditën e PDK-së nuk ka ndodhur asnjëherë që të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, prandaj mund të them këtu, në emër të PDK-së, që çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet. Njerëzit janë të lirë të bëjnë komentet e tyre, por politikanët nuk mund të bëjnë komente për vendime gjyqësore; ato vetëm duhet të zbatohen. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen” tha ai.
Tutje Gruda theksoi se është në kompetencën e Kryetarit të Kuvendit që ta ekzekutojë në përpikëri vendimin gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese.
“Ju e dini që mbarëvajtja e seancës konstitutive dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nga minoritetet, por edhe shqiptarë, udhëhiqet nga kryetari i Kuvendit, që në këtë rast është nga Lëvizja Vetëvendosje dhe do të jetë prapë. Kështu që është kompetencë e kryetarit të Kuvendit që ta ekzekutojë vendimin gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese në përpikëri”, tha Gruda.