Grindja për buxhetin: Merz nuk pranon kompromisin e Irlandës

Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së ka paraqitur një propozim të ri për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian. Reagimi nga Gjermania ka qenë i rezervuar. Merz kërkon më shumë kursime.
Në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e Bashkimit Evropian, presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së ka paraqitur një kompromis të ri. Por kancelari gjermanFriedrich Merz (CDU) nuk duket i kënaqur. Ai deklaroi për këtë propozim, se “shuma e parashikuar në propozimin e ri nuk përbën bazë për një marrëveshje.”
Në propozim, shuma prej rreth dy trilionë eurosh për periudhën 2028–2034, e propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian, është ulur disi. Qeveria në Dublin, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së, vlerëson se mund të kursehen rreth 140 miliardë euro, ose afërsisht 8 për qind krahasuar me propozimin fillestar.
Merz kërkon kursime më të mëdha
Nga këndvështrimi i qeverisë gjermane, kjo nuk mjafton. Kancelari Friedrich Merz ka kërkuar së fundmi që buxheti të reduktohet me qindra miliarda euro. Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe kryeministrat e Holandës, Suedisë dhe Austrisë. Të gjitha këto vende bëjnë pjesë në grupin e ashtuquajtur të “neto-paguesve”, pra shteteve që kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin prej tij.
Edhe Suedia dhe Austria e kanë refuzuar propozimin e ri. Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer, deklaroi se projekti i ri i buxhetit është ende shumë larg marrjes së miratimit nga Vjena. Sipas saj, nëntë vendet neto-paguese mbulojnë aktualisht rreth 60 për qind të buxhetit të BE-së. Më shumë se kaq, tha ajo, nuk mund t’u kërkohet taksapaguesve të tyre.
Mosmarrëveshje për fondet e mbrojtjes
“Buxheti i BE-së duhet të jetë i përballueshëm për ata që mbajnë barrën kryesore të financimit”, tha Merz. Sipas tij, priorizimi dhe modernizimi i buxhetit evropian është një detyrë e përbashkët për të gjitha shtetet anëtare. Me këtë deklaratë ai lë të kuptohet edhe një tjetër pikë konflikti. Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së ka reduktuar veçanërisht fondet që qeveria gjermane dëshiron t’i shohë të forcuara, konkretisht ato për konkurrueshmërinë, kërkimin shkencor dhe mbrojtjen.

Lexo edheMarrëveshja për përmirësimin e spitaleve publike në Kosovë, Kurti priti në takim zv.presidentin e EIB
Në të kundërt, fondet tradicionalisht më të mëdha për bujqësinë dhe politikën e zhvillimit rajonal janë prekur shumë pak. Kjo e fundit synon të zvogëlojë dallimet ekonomike dhe sociale mes rajoneve të ndryshme të Evropës dhe për këtë arsye u sjell përfitime veçanërisht vendeve më të varfra të BE-së.
Po ashtu, pothuajse të paprekura mbeten edhe fondet për migracionin, mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë e brendshme.
Kritika nga Parlamenti Evropian
Kritika nga parti të ndryshme vijnë edhe nga Parlamenti Evropian, por në drejtimin e kundërt. Negociatorët e Parlamentit për Kornizën Financiare Shumëvjeçare (MFF), nga Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe socialdemokratët, theksojnë: “Propozimi i presidencës irlandeze të Këshillit nuk mund të shërbejë si pikënisje për një marrëveshje. Një shkurtim prej tetë për qind krahasuar me propozimin e Komisionit, i cili gjithsesi e mban buxhetin vetëm në nivelin e periudhës aktuale, do të nënkuptonte dobësimin e aftësisë sonë për të vepruar.”
Sipas tyre, kjo vjen pikërisht në një kohë kur Evropës i kërkohet më shumë angazhim në fushat e konkurrueshmërisë, mbrojtjes dhe sigurisë. Të enjten, negociatat për buxhetin e ri të BE-së, i cili përcakton bazën financiare për punën dhe prioritetet e Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme, do të vazhdojnë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel.
Koha nuk pret. Fillimisht, shtetet anëtare të BE-së synonin të arrinin një marrëveshje deri në fund të vitit, edhe për t’u paraprirë zgjedhjeve presidenciale dhe një ndërrimi të qeverisë në Francë. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë, të planifikuara për në nëntor, pritet ta bëjnë edhe më të vështirë arritjen e këtij objektivi, i cili që tani konsiderohet mjaft ambicioz. /DW












