Granit Xhaka i vetmi që e refuzoi vaksinën kundër Covid-19 në Kombëtaren e Zvicrës, konfirmon Federata zvicerane

Granit Xhaka nuk ka pranuar ta marrë vaksinën kundër pandemisë Covid-19, derisa pothuajse të gjithë bashkëlojtarët e tij në ekipin kombëtar të Zvicrës janë vaksinuar tashmë, ka konfirmuar Adrian Arnold, shefi për media në Federatën e Futbollit të Zvicrës.
Xhaka mungoi në fitoren e Zvicrës 2:1 kundër Greqisë të mërkurën në një ndeshje miqësore, pasi u infektua me koronavirus.
Mesfushori i Arsenalit prejardhje nga Podujeva doli pozitiv në testin për Covid-19 ditën e ndeshjes dhe u fut në izolim menjëherë, që nënkupton se ai do t’i mungojë Zvicrës kundër Italisë dhe kundër Irlandës së Veriut në kualifikime për Kupën e Botës.
Xhaka, i cili i ka bërë 98 paraqitje për Zvicrën në karrierë, është lojtari i vetëm i pambrojtur plotësisht në pikëpamjen shëndetësore në ekipin zviceran, sipas Arnoldit, pasi derisa të tjerët janë vaksinuar, ai s’ka dashur ta marrë vaksinën kundër virusit.
Reklamë

Lexo edheFantazi serbe për largimin e SHBA nga Kosova
“Granit Xhaka nuk është vaksinuar. Ai është lojtar i pa vaksinuar. Ne i kemi lënë (vendimin për vaksinim) në dorën e secilit lojtar, është zgjedhje personale për çdo lojtar, siç është për çdo person tjetër në Zvicër. Ne e kemi bërë një rekomandim që të vaksinohen të gjithë. Ai vendosi vetë (kundër vaksinimit). Është e drejta e tij të mos vaksinohet”
Arnold shtoi: “Të gjithë lojtarët e tjerë janë vaksinuar apo janë riaftësuar. Prandaj ata janë të sigurt, pak a shumë, të paktën prej pikëpamjes mjekësore. Por kurrë nuk i dihet. Fatkeqësisht Graniti u infektua. Nga pikëpamja sportive është shumë keq, sepse ai është i rëndësishëm për ne në këtë kohë”, shtoi ai.
Mospranimi i Xhakës për t’u vaksinuar i bën jehon qëndrimit të shumë shqiptarëve në Zvicrës që refuzojnë të vaksinohen, pavarësisht rrezikut që virusi përbën për shëndetin e tyre./Express/














