Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nesër pritet t’ua prezantojë kabinetin qeveritar deputetëve të Kuvendit. Ligjvënësit do të mblidhen në seancë në orën 10:00. Vetëvendosje ka 48 deputetë, ndërsa përkrahje ka edhe nga të paktën shtatë deputetë të komuniteteve pakicë joserbe. Aktualisht, nuk ka informacione për një marrëveshje koalicioni. Njohës të zhvillimeve politike nënvizojnë se sigurimi i votave individuale mund të ndryshojë parashikimet.
10 tetori është data kur u bë konstituimi i legjislaturës së 9-të, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. E gjithë kjo ndodhi 8 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve. Tashmë, vendi ndodhet para një situate tjetër. Mandatari për formimin e qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nesër duhet të prezantojë para 120 deputetëve kabinetin e ri qeveritar.
Por, për njohësit e zhvillimeve politike, gjasat që Kosova nesër të bëhet me qeveri të re janë minimale.
“Unë nuk pres ndonjë ndryshim të madh nga ajo që kemi parë këta muajt e fundit. Do të jetë një përpjekje të paktën për publikun që zoti Kurti po provon për ta bërë qeverinë, por të tjerët nuk po janë të gatshëm për ta bërë koalicionin. Besoj që kjo është një përgatitje për zgjedhjet e ardhshme sepse as dy partitë e mëdha shqiptare nuk i kanë numrat dhe nuk kanë një marrëveshje mes veti që ta bëjnë Qeverinë”, tha Dritëri Arifi, njohës i proceseve politike.
Krejt çka duhet të bëjë Kurti këtë kohë, është të provojë sigurimin e votave individuale në Kuvend, thotë politologu Dorajet Imeri.
“Partitë politike kanë zgjedhur që të mos bashkëpunojnë. Mundësia që të kemi një qeveri nesër është tepër minimale. Kryeministrit Kurti i duhet një angazhim i shtuar që të kërkoj mbështetje individuale të deputetëve që të votojnë për shumicën e re në Kuvendin e Kosovës, rrjedhimisht qeverinë e re”, tha Dorajet Imeri, politolog.
Ani pse fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Vetëvendosje nuk mori mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme, ndërsa zgjodhi t’i bëjë ofertë Lidhjes Demokratike për bashkëpunim, e kjo e fundit refuzoi. Vetëvendosje tha se nuk bën koalicion me Partinë Demokratike, as me Listën Serbe.
Kurti, për ta formuar qeverinë e re, duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve deri nesër. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e dytë, nëse i dëshmohet se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe i dyti ka 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Nëse as herën e dytë nuk formohet, presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen dyzet ditëve nga data e shpalljes./rtk/