Ministria e Infrastrukturës u ka bërë zgjidhje banorëve të dy fshatrave të Kaçanikut si dhe Hanit të Elezit, të cilat ishin të prekura nga mbyllja e magjistrales që lidh këto vende.
Kjo ministri ka marrë përsipër shtrimin e rrugës malore Kotlinë – Ivajë prej një kilometër e gjysmë me zhavorr, për të cilën punimet pritet të zgjasin rreth një javë e kostoja ende nuk dihet, raporton KTV.
Ndërsa për banorët e Hanit të Elezit, ministria ka nënshkruar një aneks kontratë me Trainkos për funksionalizimin e tri linjave të reja të hekurudhore, duke rezultuar me 5 gjithsej.
Për këtë marrëveshje, ministria do t’i paguajë shpenzimet e qarkullimit në vlerë të 39 mijë eurove.
Për banorët kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por thonë se të paktën do të jenë larg ndonjë rreziku.
Këto mundësi janë mirëpritur nga kryetarët e komunave, të cilët kanë thënë se po të njëjtat kërkesa janë bërë në ministri ende pa qenë situata emergjente.
Këto dy alternativa janë përzgjedhur nga ministria si mundësi për qarkullim deri në rregullimin e magjistrales Kaçanik- Han i Elezit, për të cilën ende nuk ka ndonjë afat.