Gjashtë vjet pas marrëveshjes së liderëve, Kosova ende nuk ka reformë zgjedhore

Ndonëse kanë kaluar më tepër se gjashtë vite nga marrëveshja e liderëve të PDK-së, LDK-së dh AKR-së, për formimin e një Komisioni që do te merrej më reformën zgjedhore, kosovarët ende votojnë me sistemin e vjetër.
Në pikën e tretë të kësaj marrëveshje, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacollit, thuhej se “ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili mes dispozitave tjera do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim”.
Pavarësisht se shumë shpejt pritet të konstituohet legjislatura e 6-të e Kuvendit të Kosovës, akterët e politikës kosovare nuk janë ende të sigurt se a do të hyjmë në zgjedhjet e radhës me sistemin e ri elektoral.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Albulena Haxhiu, ka theksuar deri më tani nuk ka pasur vullnet politik për të bërë reformat zgjedhore.

Lexo edheSi mbrohet organizmi nga nxehtësia?
Haxhiu ka thënë për Telegrafin se “subjektet politike, me përjashtim të Vetëvendosje-s, e kanë shfrytëzuar reformën zgjedhore, sa për të ja zgjatur jetën vetes në qeverisje”.
“Konsideroj që Kosovës i duhen reforma për të shmangur çfarëdo manipulimi ndërmjet subjekteve, por edhe kandidatëve. Andaj fokusi nuk duhet të përqendrohet në ndryshimin e sistemit zgjedhor, ku hyjnë zonat dhe listat, por në administrim të zgjedhjeve e sidomos tek dokumentet e votimit. Procesi i votimit dhe numërimit duhet të ndahet”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka theksuar se “kjo dhe tjera do të arrihen kur në krye të institucioneve të vendit të vendosen njerëz që kanë vullnet, dije e përkushtim”.














