back to top
Wednesday, July 23, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditGazmend Hoxha: Presim që e vërteta për vdekjen e Agon Zejnullahut të...

Gazmend Hoxha: Presim që e vërteta për vdekjen e Agon Zejnullahut të dalë sa më shpejt në dritë

Të ngjajshme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur për rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut, i cili dyshohet se ka humbur jetën gjatë një operacioni policor më 7 korrik në Lipjan.

Në një konferencë për media, Hoxha ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe ka kërkuar që rasti të zbardhet sa më parë nga organet kompetente. Ai ka theksuar se Policia e Kosovës është e interesuar që drejtësia të marrë vendimin përfundimtar dhe që e vërteta të bëhet e ditur për opinionin, transmeton lajmi.net

“Presim verdiktin final të drejtësisë dhe që e vërteta të dalë në shesh,” është shprehur ai, duke shtuar se i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe mbështetje për institucionet që po e hetojnë rastin.

Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë ngjarje kanë përfshirë pesë zyrtarë policorë, të cilët janë vendosur në paraburgim nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. Por zhvillimet e fundit në sistemin gjyqësor kanë sjellë një kthesë.

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesat e avokatëve mbrojtës të të pandehurve – I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B. – dhe ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas një njoftimi zyrtar, Apeli ka konstatuar se vendimi i mëparshëm kishte shkelje procedurale dhe mungesë të analizës së provave, çka e bëri të domosdoshëm anulimin e tij. Gjykata vlerësoi se nuk ishin trajtuar në mënyrë të plotë dhe të argumentuar provat relevante që do të vërtetonin ekzistencën e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale.

Në vendimin e saj, Apeli ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë që në rigjykim të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara dhe të ofrojë një trajtim të qartë procedural e ligjor të çështjes.

Rasti i vdekjes së Zejnullahut ka ngjallur reagime të shumta në opinion, ndërsa pritet me interes zhvillimi i mëtejmë i hetimeve dhe procesit gjyqësor./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit