Gazi natyror në Kosovë, çfarë parasheh strategjia e qeverisë dhe çfarë po kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë

Diskutimet për zhvillimin e gazit natyror në Kosovë janë intensifikuar ditëve të fundit, duke u lidhur si me orientimet strategjike të vendit për siguri energjetike, ashtu edhe me qëndrimet dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë nxitur vazhdimisht diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon dhe ndërlidhjen me tregjet evropiane të gazit.
Në diskursin diplomatik dhe energjetik, gazi natyror shihet si një element i rëndësishëm për uljen e varësisë nga burimet ekzistuese dhe për forcimin e stabilitetit energjetik në Kosovë dhe rajon. Në këtë kuadër, mbështetja e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë konsiderohet si faktor kyç për zhvillimin e infrastrukturës së re energjetike dhe integrimin rajonal.
Këto zhvillime përputhen me Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës 2022–2031, e cila parasheh për herë të parë zhvillimin e sektorit të gazit natyror në vend. Sipas këtij dokumenti, Kosova aktualisht nuk ka infrastrukturë të gazit dhe nuk e përdor këtë burim energjie, por synon ndërtimin gradual të një sistemi të ri të transmisionit dhe shpërndarjes së gazit.
Strategjia parasheh që zhvillimi i gazit të realizohet përmes krijimit të rrjetit të brendshëm të gazsjellësit dhe lidhjes me rrjetet rajonale. Si opsione kryesore të furnizimit përmenden lidhja me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), përmes Shqipërisë ose Maqedonisë së Veriut, si dhe përdorimi i terminaleve të gazit të lëngshëm (LNG) në rajon.
Dokumenti thekson gjithashtu rëndësinë e interkoneksionit rajonal dhe bashkëpunimit me vendet fqinje, me qëllim integrimin e Kosovës në tregun evropian të energjisë dhe krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm energjetik.
Sipas vlerësimeve të strategjisë, ndërtimi i infrastrukturës së gazit natyror mund të zgjasë rreth 7 deri në 9 vjet, duke përfshirë fazat e planifikimit, ndërtimit dhe lidhjes me rrjetet rajonale.

Lexo edheMes shqetësimeve ndërkombëtare, Serbia në prag të ratifikimit të paktit për ekstradim me Kinën
Pas realizimit të këtij sistemi, gazi natyror parashihet të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike përmes centraleve me gaz, për sektorin industrial dhe për nevoja të ngrohjes dhe konsumit të përgjithshëm, duke u pozicionuar si një burim tranzitor në procesin e transformimit energjetik të vendit.
Në këtë kontekst, gazi natyror shihet si një komponent strategjik që lidhet si me orientimet e brendshme të Kosovës për modernizim energjetik, ashtu edhe me kërkesat dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për diversifikimin dhe sigurinë energjetike në rajon.














