Gazeta gjermane: Kurti s’jep shenja se do ta zhbllokojë situatën në Kuvend, rezultati -inflacioni 4.3%, asnjë ligj i miratuar për gjysmë viti

“Bllokadë parlamentare, inflacion, ngërç”. Me këto fjalë në titull, gazeta gjermane Frankfurter Rundschau shkruan për situatën politike në Kosovë.
FR shkruan se po afrohet “tentativa e 50-të jubilare” për konstituimin e Kuvendit.
“Politika në Kosovë: Kryeministri Kurti nuk është lojtar ekipi, kandidatja e tij jopopullore”, shkruan kjo gazeetë, ndërsa shpjegon se Lëvizja Vetëvendosje po gëmbëngul për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryeparlamentare.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partia e majtë populiste Vetëvendosje (VV) e kryeministrit në largim Albin Kurti doli qartë forca më e madhe me rreth 42% të votave, por humbi shumicën absolute. Opozita e konsideron të papërshtatshme për postin e kryeparlamentares kandidaten e propozuar nga VV, ministren aktuale të Drejtësisë Albulena Haxhiu, për shkak të sjelljes së saj polarizuese, dhe insiston në një propozim alternativ, shkruan FR.

Lexo edheAgim Ademi prezanton ardhjen e re te Kosova
Megjithatë, gazeta gjermane shton se kryeministri në detyrë Kurti nuk njihet as për gatishmëri për kompromis dhe as si lojtar ekipi. Edhe pse Haxhiu ka dështuar ta marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash në gjashtë tentativa votimi, VV deri tani nuk ka dhënë asnjë shenjë se do ta zëvendësojë kandidaten e saj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë deputetëve afat deri më 28 korrik. Që të mund të shpërndahet parlamenti për zgjedhje të parakohshme, ai duhet fillimisht të konstituohet. Pasojë e bllokadës: ndërsa inflacioni në qershor arriti në 4.3% – niveli më i lartë në dy vitet e fundit – për më shumë se gjysmë viti nuk është miratuar asnjë projektligj, nuk janë ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare, nuk janë ndarë fonde dhe nuk janë emëruar drejtues në pozitat e larta të institucioneve shtetërore.
Edhe fondet e ndihmës nga BE-ja, me vlerë miliona euro, nuk mund të aplikohen dhe as të tërhiqen pa miratimin parlamentar.














