Flet xhaxhai i 11 vjeçit të kidnapuar: E morën me xhip të zi

11-vjeçari E.T. nga Shtimja është kidnapuar nga një veturë xhip i zi, ka thënë xhaxhai i viktimës, Xhevdet Tafa.
Në një bisedë telefonike me Insajderin, xhaxhai i 11-vjeçarit të kidnapuar sot në Shtime, Xhevdet Tafa, ka deklaruar se E.T. po ecte në rrugë së bashku me djalin e tij para se të kidnapohej nga disa persona, “të cilët e futën në një xhip të zi”.
Tafa ka thënë se personat të cilët dyshohen se e kidnapuan djalin e vëllait të tij, e kanë thirrur në emër 11-vjeçarin për t’iu afruar veturës, “e më pas e kanë kidnapuar”.
“E kanë thirr në emër disa persona në një veturë xhip të zi, ai është afru pastaj e kanë marrë tek kerri dhe e kanë futur brenda”, ka thënë Xhevdet Tafa, duke theksuar se ngjarjen atij ia ka rrëfyer djali i tij i madh, i cili e kishte shoqëruar E.T. në momentin e kidnapimit.
Tafa ka thënë se djali nuk dihet në çfarë drejtimi ka shkuar, dhe se prej kidnapimit nuk kanë dëgjuar më asgjë për të.

Lexo edheFAMILJARËT TREGOJNË SA PARA PO I KËRKON KIDNAPUESI I 11-VJEÇARIT NË SHTIME
“Jo nuk kemi dëgju asgjë më prej tij dhe tash po presim pasi e kemi lajmëruar rastin edhe në Polici”, ka thënë xhaxhai i 11-vjeçarit.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka thënë se rasti që dyshohet të jetë kidnapim ka ndodhur sot rreth orës 20:00 në Shtime.
“Informata qëndron se është kidnapuar një fëmijë 11-vjeçar. Hetimet momentalisht i kemi në vlug dhe më shumë informacione nuk mund të japim”, ka thënë Gashi.














