E nisën garën me slogan “Kosovë 100%’, por morën vetëm 11.57 përqind të votave në zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor. Tashmë kandidatët e AAK’së si Burim Ramadani, Labinot Tahiri, Muharrem Nitaj e Shqipe Kastrati, kanë filluar të akuzojnë bashkëpartiakët për vjedhje votash, shkruan Gazeta Metro.
Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Burim Ramadani, po thotë se nuk mori vota sa duhet për t’u bërë deputet, pasi që këto ‘iu avulluan’ nga një komisionere.
“Ja një rast qysh avullohen votat! Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në Fletën Llogaritëse janë 58 vota. Në Formularin Zyrtar janë 0 vota. Pra, 58 qytetarë në Suharekë kanë votuar, por Komisionerja Sh.K ka vendosur që t’i avullojë ato vota. Sigurisht, duhet të ketë rinumërim. Sigurisht, dikush duhet të shkojë në Gjykatë e të merr dënim”, ka shkruar Ramadani.
Në këtë status të tij, ka komentuar kandidatja tjetër Shqipe Kastrati, duke thënë se në Suharekë ia morën 34 vota.
“Ja edhe rasti im. Një ditë më parë më uruan se për momentin kam 602 vota në Suharekë,të nesërmen u “avulluan” në 34???!!!”, ka shkruar Kastrati.
Këngëtari i shumëpërfolur, Labinot Tahiri, që ndërroi parti pak kohë më parë, po beson se mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës meqë ia vodhën votat, kryesisht në zonën e Dukagjinit.
“Ka pasë komisionerë të pagum aty për me i kap votat e mija, me ia vendos dikujt tjetër. Nuk ka mundësi që ana e Labinot me u bo deputet, e Dukagjinit jo kur atje është bë lufta”, tha ai sot.
Pa u ankuar për votat që nuk i mori, nuk mbeti as kandidati tjetër i AAK’së, Muharrem Nitaj. Ky i fundit tha se kandidatët tjerë me çanta me para kanë paguar për vota, shkruan Gazeta Metro.
“Po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para, i paskëshin blerë mandatet e tyre. Me vjen keq për ta se janë të mjerë. Po thonë që edhe shumë të tjerë paskëshin paguar shumë para e nuk i paskëshin fituar mandatet! Për ta më vjen mirë se haram duhet t’i kenë pasur! Por më së shumti ndiej keqardhje, pse ata që nuk patën para e duhej të ishin zgjedhur, nuk e kaluan pragun! Këtë here nuk ishte koha e tyre! Po lexoj se shumë nga kandidatet po kërkojnë të hapen kutitë e të numërohen votat një për një! Mosni se kjo nxjerr telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin! Lëreni siç është, se më mirë as që duhej të ishte!”, ka shkruar dje Nitaj në Facebook.
Sidoqoftë, me votat e pakta që mori në këto zgjedhje duke dalë e katërta pas VV’së, LDK’së e PDK’së, AAK mund të sigurojë në Kuvend deri në 12 karriga. Ndërsa janë kryesisht kandidatët që nuk i fituan ulëset, ata që po ankohen për vjedhje të votave.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje ka dalë e para me 202.968 vota apo 25.48 përqind, pasuar nga LDK 197.702 apo 24.82 përqind dhe PDK në vend të tretë me 169.211 apo 21.24 përqind./gazetametro.net