Alex Ferguson është një legjendë e futbollit botëror. Ai e drejtoi më mirë se askush tjetër në historinë e tij si klub Manchester United. Zëri i tij, edhe pse tashmë në “pension”, është ende më shumë se autoritar në “Old Trafford”.
Duke folur për “Marca”, skocezi i mirënjohur u shpreh për “Topin e Artë”, trofe të cilin, sipas tij, e meriton një dhe i vetëm, Cristiano Ronaldo: “Unë nuk mund të mendoj dikë më të mirë se Ronaldo për ta ngritur trofeun e “Topit të Artë”. Ky është një nga momentet kur ndihem më krenar, sepse e solla vetë te Manchester United dhe luajtëm si klub një rol të madh në karrierën e tij. Ne i dëshirojmë Cristianos më të mirën. Arritjet e tij në vitin 2016 janë të patejkalueshme nga askush. Ai ka pasur një ecuri të mrekullueshmE, duke fituar edhe Ligën e Kampionëve me Real Madridin, ndërsa si kapiten i Portugalisë triumfoi në “Euro 2016”. Edhe pse mungoi në finale të Europianit për shkak të lëndimit, ai ka qenë ndihmë e madhe në vijën anësore, duke brohoritur e inkurajuar shokët. E tillë ishte dëshira e tij, për ta ngritur trofeun. Ai moment ishte i mrekullueshëm për karrierën e Ronaldos”.
Ferguson e ka jetuar evolucionin e futbollistit portugez, të cilin e mori te Manchester United vetëm 17 vjeç. Pranda di ta vlerësojnë portugezin për të gjithë punën dhe arritjet në krye të futbollit botëror, ku militon tani. “Shenjtërimi i CR7 si një nga lojtarët më të mirë nuk ishte një surprizë për mua. Ka qenë nën urdhërat e mia në moshën 17-vjeçare dhe kam parë nga afër talentin e tij. Që në fillim kam kuptuar se çfarë ylli, i çfarë biveli do të bëhej Ronaldo.Ka lojtarë të lindur për të qenë të mëdhenj, ndërsa Ronaldo është i tillë për talentin natyror dhe një faktor tjetër thelbësor: puna dhe vetëm puna. Kjo e dyta ka qenë e nevojshme që portugezi të bëhet një lojtar i kompletuar. Nuk kam parë lojtar tjetër me një disiplinë kaq të mahnitshme në trajnim. Kjo dëshirë e vazhdueshme për t’u bërë më i miri e ka çuar atë në majën e futbollit botëror. Edhe pse fare i ri, te Manchester United ishte një shembull për të gjithë”, – ka përfunduar Ferguson, i cili nuk heziton ta mbështesë pa kushte yllin portugez prej pak më shumë një dekade e gjysmë.