Megjithatë, ashtu siç është përmendur edhe në media, grupi Bajri nuk janë të vetmit që sundonin në Shkodër, pasi sipas një studimi të publikuar disa kohë më parë, i cili mban firmën e zv.ministrit të Brendshëm Besfort Manallari dhe Fabian Zhillës, janë të paktën edhe tre familje të tjera që bëjnë ligjin në atë qytet.
Më poshte, gjendet pjesa e raportit mbi Shkodrën të përpiluar nga Manallari dhe Zhilla.
Pjesë nga studimi, Shkodra
“Është e nevojshme që fillimisht të sqarojmë kuptimin e organizatave kriminale të cilat mbështeten në lidhje të ngushta familjare (“Familje”), karakteristikë kjo e grupeve kriminale të zonës veriore të vendit. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël, kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë. Mendohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale.
Këto “familje” hamendësohet ti kenë rezistuar kohës për shkak të lidhjeve të forta familjare, agresivitetit dhe lidhjeve me politikën. Fillimet e tyre nisin të duken që në fundvitet 80-të, kur në Shkodër, si në shumë qytete të mëdha të vendit, filluan të krijoheshin grupe të rinjsh të dhunshëm në lagje të caktuara të qytetit të cilët njiheshin si të “fortët e lagjes“, si: “Grupi i Rusit” “Xhabijes” ose “Kirasti”. Ndër këto grupe kishte edhe djem të cilët ju përkisnin “familjeve” që dyshohet se dominojnë sot krimin në qytetin e Shkodrës.
Anëtarë të këtyre familjeve njiheshin për pjesëmarrjen në veprimtari kriminale para dhe gjatë periudhës së komunizmit. Pra kishin një histori të përfshirjes së familjarëve në veprimtari kriminale edhe në të shkuarën. Këto grupime kriminale janë kryesisht të mbështetura në lidhje familjare dhe kontrollojnë zona të caktuara. Fuqizimi i tyre filloi me kontrabandën e karburanteve e cila lulëzoi në rrethin e Shkodrës pas thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara vendosur ndaj ish-Jugosllavisë në maj të vitit 1992, si dhe konfliktet e armatosura në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.
Më pas këto “familje” u angazhuan në trafikun e qenieve njerëzore dhe atë të narkotikëve. Këto veprimtari kriminale ju mundësuan të krijojnë lidhje edhe me rrjetet ndërkombëtare kriminale. Gradualisht këto familje u fuqizuan financiarisht duke u integruar në veprimtari tregtare të rëndësishme në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë. Një tjetër faktor fuqizues është edhe lidhjet që disa nga këto familje vendosën me “familje “mafioze italiane në jug të Italisë, por edhe pranisë së kësaj të fundit në Malin e Zi. Ky shtet njihet edhe si një ndër portet kryesore të kontrabandës së duhanit në Ballkan e dirigjuar nga Sacra Corona Unita. Deri në vitin 2012 Mali i Zi konsiderohej nga media ndërkombëtare si një “shtet mafioz”.
Familjet e mësipërme në qytetin e Shkodrës mendohet të kenëkonsoliduar pozitat e tyre në qytet dhe rrethina nëpërmjet dhunës dhe shantazheve, por dhe gjobëvënies ndaj bizneseve. Kjo e fundit ka qënë fenomen shqetësues në Shkodër edhe pas vitit 2005. Struktura e organizimit të këtyre “familjeve” hamendësohet se i ngjan një “biznesi familjar”, ku organizata kriminale vepron në emër dhe përfitim të familjes ose klanit familjar. Zakonisht drejtuesi i organizatës është kryefamiljari, i cili, pas vdekjes së tij, zëvendësohet nga vëllai më i madh.
Siç u përmend më sipër, hierarkia më pas zbret në varësi të afërsisë së gjakut me drejtuesin e organizatës dhe kjo përcakton dhe rëndësinë dhe rolet. Kështu në rang më të ulët vijnë kushërinjtë e parë, të dytët e me radhë. Në organizatë përfshihen edhe individë të cilët kanë lidhje shoqërore me anëtarët kryesorë të organizatës si dhe djemtë e lagjes ku organizata ka qendrën e saj. Këto “familje” kontrollojnë territore të caktuara dhe kanë linjat e tyre të trafiqeve. Në përgjithësi këto “familje” janë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e njëra-tjetrës pasi një gjë e tillë aludohet t’i ketë kushtuar mbi 20 të vrarë dy prej familjeve në konflikt në periudhën 1999-2013. Pas vrasjes së Edmir Koçisë në vitin 2012 hamendësohet se ka një ristrukturim tjetër të kontrollit të qytetit nga këto familje. Koçia konsiderohej deri në vitin 2012 si një ndër individët më të rrezikshëm dhe drejtues i organizatës më me influencë në qytet. Ai dyshohej për një sërë vrasjesh, ku ndër to dhe për vrasjen e Çim Cafit.84 Një vit më pas eliminohet edhe Gjon Gjeka85, i cili gjithashtu dyshohet të jetë ekzekutuar nga e njëjta dorë dhe porositës, për shkak të stilit fare të ngjashëm të vrasjes. Pas këtyre vrasjeve mendohet që “familjet” dominuese në qytet të kenë vendosur një situatë paqeje.















