Familja e të ndjerit Agron Sylejmani, e ka mohuar se mëngjesin e sotëm, u është bastisur shtëpia në lagjen “Pejton” të Prishtinës.
Gazeta Express ka raportuar sot në mëngjes se Policë të EULEX-it dhe ata të njësive elite të Policisë së Kosovës, të kamufluar me maska, kanë rrethuar shtëpinë e Sylejmanit në Kushevicë të Podujevës.
Aksioni në fjalë u konfirmua edhe nga zyrtarë të PK-së, por të njëjtët nuk dhanë detaje shtesë.
Mirëpo, një aksion të tillë e mohon vëllai i të ndjerit duke thënë se familja e tij gjendet në “Pejton” e jo në fshatin e Podujevës, dhe se nuk ka pasur asnjë kontroll atje.
“Nuk është e vërtetë që është rrethuar shtëpia e Agron Sylejmanit. Ne jemi në Pejton (Prishtinë) dhe nuk ka kurrfarë kontrollore. Nuk e di pse janë bërë këto shkrime. Unë jam në shtëpi dhe kërkush nuk është në shtëpi”, është shprehur ai.
Agron Sylejmani, tashmë i vdekur, është akuzuar për vrasjen e aktivistit të LDK-së, Haki Imeri, në nëntor të vitit 1999. Denoncimin publik e ka bërë në disa raste vëllai i tij Imer Imeri, i cili e ka cilësuar vrasje politike. Ai ka thënë se vëllai i tij është kidnapuar nga tre policë ushtarakë të UÇK-së.
Aksioni i sotëm policor ka ndodhur pikërisht në ditën kur është funksionalizuar Gjykata Speciale, e cila pritet të merret edhe me disa raste të vrasjeve që konsiderohen të motivuara politikisht. /GazetaExpress/

