Evakuohen 2,500 marinarë nga Ngushtica e Hormuzit

Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) ka njoftuar se ka evakuuar rreth 2,500 marinarë të bllokuar në Ngushticën e Hormuzit, përpara se të pezullonte operacionin pas sulmit ndaj një anijeje mallrash të enjten.
Sekretari i Përgjithshëm i IMO-s, Arsenio Dominguez, deklaroi se në operacionin e evakuimit, i cili nisi më herët gjatë kësaj jave, u angazhuan të paktën 115 anije.
Sipas tij, organizata me seli në Londër po zhvillon bisedime me Iranin, Omanin dhe Shtetet e Bashkuara për të siguruar garanci të reja sigurie, me qëllim rifillimin e operacionit të evakuimit.
IMO kishte bërë të ditur një ditë më parë se synonte të evakuonte mbi 11 mijë marinarë të mbetur të bllokuar në këtë rrugë ujore strategjike.

Lexo edheÇitaku kritikon VV-në për çështjen e gazit: Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës
Ngushtica e Hormuzit është përfshirë nga tensione të larta prej javësh, pasi Irani ka ndërmarrë kërcënime dhe sulme ndaj anijeve tregtare, ndërsa Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën me një bllokadë të porteve iraniane.
Sipas të dhënave të IMO-s, më shumë se 40 anije tregtare janë sulmuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa të paktën 14 marinarë kanë humbur jetën.














