Ende pa u mbajtë zgjedhjet, nënkryetari i AAK’së flet për koalicionin pas zgjedhor

Nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi në një prononcim për EkonomiOnline, ka folur rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai është shprehur i bindur se koalicioni AAK-PSD, do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa LDK-në e sheh si partnere të koalicionit paszgjedhor, me të cilën synojnë edhe të udhëheqin qeverinë.
“Shikuar nga e kaluara të gjitha partitë politike disi janë deklaruar që me PDK-në, meqë ka qenë gjatë në pushtet nuk jemi të gatshëm të bëjnë koalicion dhe Aleanca normal e ka një distancë edhe për shkak të prishjes së koalicionit tani. Poashtu me Vetëvendosje ata qysh me kohë me rastin e dhënies së dorëheqjes së Haradinaj treguan se nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne neve. Me LDK-në ka në një far forme një afri më të madhe ndoshta kjo varet krejt nga rezultati i zgjedhjeve, që do të dalin megjithatë ne vija të kuqe nuk do të kemi”, thotë ai.
Megjithatë, thotë se kusht kryesor për partneritet me këtë parti, do të jetë taksa ndaj mallrave serbe.
Ish-kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, në legjislaturën e fundit, thotë se ky do të jetë parim i pakapërcyeshëm.
“Sa i përket taksës, taksa nuk do të hiqet dhe ne do të jemi në qeveri dhe do të bëjmë koalicion me atë parti e cila është e gatshme të mos e heq taksën. Koalicioni lidhet me këtë parim edh e disa parime që kanë të bëjmë me disa vendimet e interesave të vendit”. ka thënë Isufi.
Madje thotë se nuk do t’i binden asnjë llojë presioni pavarësisht nga kush vjen ai.
Lexo edheMoti sot kryesisht me diell dhe i nxehtë, nga nesër priten reshje shiu
“Ne kemi pas edhe në të kaluarën presione të ndryshme për të ndryshuar qëndrimet e tona, por qëndrimet për lirinë pavarësinë, për shtetin e Kosovës nuk ka mund të na i ndryshojë askush. Prandaj ne taksë i kemi vu Serbisë e cila ka lobuar dhe po lobon kundër Kosovës, me tregun e Kosovës po blen armë në Rusi dhe ne nuk e lejojmë një gjë të tillë”, thotë ai
Ahmet Isufi nënkryetarë i AAK-së është shprehur që në Qeverinë e udhëhequr nga ta do ta pranojnë vetëm dialogun i cili do të rezultojë me një marrëveshje për njohje reciproke dhe në asnjë mënyrë nuk do të hynë në dialog që hap tema që e dëmtojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
“Sa i përket dialogut ne dialogun e pranojmë vetëm me një marrëveshje ndërkombëtare obligative ligjore e cila e detyron Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në këtë drejtim ne jemi për dialog por një dialog që rezulton me marrëveshje për njohje reciproke. Nuk jemi të gatshëm të hymë me tema të cilat e kanë dëmtuar Kosovës ose që mund ta dëmtojnë në të ardhmen. Ne mbrojmë interesin e Kosovës sovranitetin, integritetin e vendit dhe nuk lejojmë që të futen tema mund të cenojnë diçka nga përmbajtja e substancës së Kosovës”, thotë ai.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Socialdemokrate, ku në parim ky koalicion është parë si jo i natyrshëm për shkak të orientimeve programore, pasi AAK-ja është parti e qendrës së djathtë, kurse PSD-ja parti e majtë.
Por, sipas nënkryetarit të AAK-së, ky koalicion është pritur mirë në elektorat dhe po mbështetet edhe për shkak të bashkëpunimit të mirë që e kanë pasur sa PSD-ja ishte në opozitë.
“Koalicioni AAK-PSD është pritur shumë mirë në elektorat për shkak se edhe pse ka qenë PSD-ja në opozitë kanë përkrahë disa vendime të mëdha që i ka marrë zotri Haradinaj në qeverisje që kanë qenë në interesin e vendit poashtu edhe qeveria në krye me zotin Haradinaj disa nga iniciativat që i ka marrë Partia Socialdemokrate sidomos disa ligje që kanë pasur të bëjnë me temat e mirëqenies sociale i ka pranuar dhe ka qenë një bashkëpunim paraprak në distancë por që nga qytetarët si koalicion është pritur shumë mirë”, përfundoi ai.














