Eliza Hoxha: Kosova marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet

Në Prishtinë po mbahet marshimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nën organizimin e platformës “Liria ka Emër”.
Në fjalimin e saj, përfaqësuesja e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka kujtuar Marshin e Lirisë të vitit 1999, duke e lidhur atë me marshimin e sotëm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Hoxha tha se në shtatorin e vitit 1999 Kosova ishte mbushur me ushtarë të UÇK-së, të cilët pas demilitarizimit marshuan nëpër qytetet e Kosovës për të festuar lirinë dhe më pas u bashkuan në Prishtinë.
“Ai marsh quhej Marshi i Lirisë. Dhe si për ironi, sot, 27 vjet më vonë, populli i Kosovës sot marshon për liri. Marshon për liri në liri. Marshon për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë, marshon për lirinë e çlirimtarëve të vet”, tha Hoxha.

Lexo edheSheshi “Skënderbeu” mbushet, turma të mëdha para nisjes së “Marshit Për Liri”
Ajo theksoi se qytetarët sot po marshojnë për ata që, sipas saj, u ngritën në ditët më të vështira dhe guxuan për lirinë e Kosovës.
“Sot marshojmë me UÇK-në, për UÇK-në! Sepse UÇK-na bashkon! Na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot, na bashkon për jetë e mot!”, u shpreh ajo.
Hoxha tha se Kosova po pret drejtësi dhe dinjitet, duke kërkuar kthimin në Kosovë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. “Ndërsa në këto ditë që Kosova po numëron orët dhe po pret, nga këtu, nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga Prishtina i themi botës se Kosova pret drejtësi! Kosova po pret dinjitet! Kosova po e pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të kthehen në shtëpinë e vet!”, deklaroi Hoxha. Fjalimi u përcoll me duartrokitje dhe brohoritje nga turma, përfshirë thirrjet “Kadri!” dhe “UÇK!”.












