Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është realizuar ekstradimi nga Zvicra i një shtetasi kosovar, i cili kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar për veprën penale “Falsifikim i parave”.
Sipas Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë relevante vendore dhe autoritetet zvicerane, transmeton lajmi.net.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 16.04.2026 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Zvicra për në Kosovë.”
I dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, pasi dyshohet se ishte përfshirë në veprën penale “Falsifikim i parave” dhe i njëjti kishte qenë në arrati nga drejtësia.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘Falsifikim i Parave’ dhe i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.”
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi është realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.
“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Zvicerane dhe i njëjti pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore.”
Në fund, Policia e Kosovës theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit dhe kapjen e personave të kërkuar./lajmi.net/